Skip to content

Bie numri i të prekurve/ Mes 264 të testuarve, vetëm 14 rezutojnë pozitivë

Këtë të diel pati një rënie të ndjeshme të numrit të të infektuarve në vend, krahasuar me një ditë më parë.

Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik njoftoi se në 24 orët e fundit janë testuar 264 persona dhe se vetëm 14 prej tyre kanë dalë të infektuar.

Nga rastet e reja, katër i përkasin Tiranës, nga ku një ndodhet në burg, nëntë Krujës dhe një Shkodrës.

“Si çdo ditë, ju bëjmë me dije rezultatet e 24 orëve të fundit sa i takon gjurmimit dhe hetimit epidemiologjik dhe situatën e deritanishme të përhapjes së COVID-19. Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 264 persona të dyshuar me COVID-19.  Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 14 raste pozitive me COVID19.  Vijon hetimi epidemiologjik nga ku rezulton se në Krujë  janë zbuluar 9 raste të reja, 4 raste pozitive janë në Tiranë, mes të cilëve një në institucionin e vuajtjes së denimit, dhe 1 rast i ri është në Shkodër. Deri në këto momente janë testuar 7279 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 726 raste.”

Këtë të diel ndërroi jetë edhe një tjetër pacient 60-vjeçar i shtruar në spitalin COVID-2, duke e çuar numrin total të viktimave në vend në 28.