Skip to content

1 Maji ditë pushimi, rreziku që na kanoset nga shpërthimi masiv i koronavirusit

Që prej muajit mars e deri më tani shqiptarët kanë përjetuar fundjava të izoluara. E gjithë kjo, si një masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Pas një situate, që ekspertët e konsiderojnë nën kontroll referuar shifrave, në dy javët e fundit janë lehtësuar disa masa, siç ishte ajo e lejimit të daljes së pensionistëve në një fashë të caktuar orari, apo edhe e nënave me fëmijë.

Por, dita e nesërme do të ketë rrezikun më të madh. Dhe për ta parë konkretisht këtë, duhen pritur shifrat e të prekurve me koronavirus gjatë ditëve në vijim. Dhe kjo për shkak se kjo e premte që shënon edhe ditën e parë të muajit maj do të shoqërohet me dalje masive në rrugë, apo shëtitje në bulevarde dhe parqe.

1 Maji është festë zyrtare dhe punonjësit e administratës shtetërore nuk do të punojnë, por nga ana tjetër nuk ka asnjë vendim për izolim të Qeverisë, duke lënë të kuptohet se shumë njerëz do mbushin rrugët dhe do shijojnë plotësisht një ditë pranvere.

Vitet e kaluara e kanë treguar së më miri një gjë të tillë, kur 1 Maji kthehej në “protestë paqësore” në bulevarde dhe hapësirat e Liqenit Artificial, të tejmbushur me familjarë për piknike.

Mijëra njerëz pas shëtitjeve të gjata dhe mimozave në duar ktheheshin pas shumë orëve në shtëpi, duke e konideruar 1 Majin e të drejtave të punëtorëve si një festë në të gjitha kuptimet e saj.

Nëse lokalet do ishin hapur, festa do të përqëndrohej familjarisht në to. Këtë vit do të jetë ndryshe, me koronavirusin nëpër këmbë dhe me ndërgjegjen e gjithsecilit për të parandaluar përhapjen e Covid 19.

Vetë Rama, përmes një postimi në facebook tha se nuk ka mbyllje të detyruar, duke u kthyer përgjigje thuajse të gjithëve atyre që kanë bërë planifikim për ditën e nesërme.

A rrezikon të kthehet në një vatër të rrezikshme, grumbullimet e nesërme në Tiranë, por jo vetëm?! Të gjitha gjasat janë të mundshme, por krejt ndryshe kanë vendosur fqinjët tanë.

Rasti më i mirë, vjen nga Maqedonia, ku autoritetet kanë vendosur shtetrrethim nga dita e nesërme e deri të hënën, si një masë e duhur dhe që pengon lëvizjen e njerëzve në grupe të mëdha.