Ditmir Bushati, personi që mbajti për 6 vite postin e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë duket se është në kërkim të famës së humbur. Dhe këtë më mirë se kudo mund ta bëjë në sallën e seancave plenare edhe nëse flet jashtë rendit të ditës.
Pikërisht në seancën plenare të kësaj të enjteje, ish-ministri Bushati në tentativë për të kapur “lajmin e ditës” ka folur për koncesionet, gjë që nuk e ka bërë asnjëherë gjatë kohës që ishte ministër. Ai kërkoi që të mos votohet koncesioni i parashikuar për Porto Romanon nga Parlamenti.
“Interesin publik duhet ta mbrojmë ne zoti Kryetar. Ne jemi Partia Socialiste, ne jemi partia e progresistëve dhe demokratëve shqiptarë. Jemi partia që kemi ardhur në pushtet në 2013 dhe kemi thënë që do i anulojmë koncesionet, kemi thënë që po keqpërdoret pasuria”, tha ish-kryediplomati.
Por përse u kujtua tani deputeti i PS-së, në një kohë kur ai mbante postin e lartë në kabinetin qeveritar kishte një pajtueshmëri të padiskutueshme me vendimmarrjen e Qeverisë, apo miratimin e ligjeve në Kuvend, sikurse ka qenë edhe ai për koncesionet.
Ndërsa sot në kulmin e pandemisë dhe kur e gjithë vëmendja duhet përqëndruar tek masat, apo lehtësimi i tyre në funksion të shqiptarëve ish-ministri rikthehet tek një çështje, për të cilën vetë Rama ka dhënë shpjegime të qarta, sidomos kur ka pasur akuza nga opozita.
Megjithatë, Ditmir Bushati nuk ka folur asnjëherë për koncesionin e rrugës Orikum-Dukat, për laboratorët mjekësore, Unazën e Re, apo Milot-Balldren për të cilat i ka votuar në Parlament dhe në një pjesë në mbledhjet e qeverisë.
Pra, Bushati shfaqet me dy qëndrime, çka vë në diskutim se cilin duhet të besojmë. Atë që dikur miratonte gjithçka kur ishte Ministër, apo këtë të tanishmin që flet për koncesione?!
Vetë Bushati do ishte mirë, që përpara se të ndalej tek oligarkët, apo koncesionet të jepte një shpjegim edhe për 720 mijë eurot e shpenzuara në mënyrë të fshehtë për “përmirësim imazhi”.
Dhe ky nuk është një fakt që flitet në seanca plenare, apo tavolina politikanësh, por një skandal i zbuluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë një auditimi të financave publike. Paratë janë përdorur gjatë kohës që Bushati drejtonte Ministrinë e Punëve të Jashtme.
