Skip to content

Behgjet Pacolli i përgjigjet Albin Kurtit: Jam në Shqipëri, bëj kujdes me telenovelat policore

Një ditë më parë mes Albin Kurtit dhe Thaçit pati një përplasje deklaratash, por që lidheshin me emrin e Behgjet Pacollit dhe një lëvizjeje të tij me makinën e kreut të shtetit.

Por, Behgjet Pacolli ka reaguar në faqen e tij në facebook në lidhje me atë që ai e quan “telenovela policore” në kërkim të vendodhej së tij në një kohë kur në Kosovë vazhdon kaosi politik dhe teksa LDK po vazhdon të nënshkruaj marrëveshje koalicioni për formimin e qeverisë së re. Ditët e fundit njerëz pranë LDK dhe kreut të saj Albin Kurti kanë thurrur teori konspiracioni mbi vendndodhjen e Pacollit të cilat ky i fundit i ka quajtur  fjalë mediash sociale që krijojnë sfida duelesh mesjetare.

Pacolli shkruan se në Kosovë është me mendje e me zemër, duke lënë të kuptojë se nuk ka hyrë fshehtas, ashtu siç është aluduar dje. Postimin e tij e ka shoqëruar me një fotografi në banesën e tij në Shqipëri. Deputeti e ka akuzuar pushtetin e Albin Kurtit për qasje komuniste e e ka pyetur Vetëvendosjen “nga u buron egërsia” ndaj tij, pasi Pacolli thotë se u ka votuar Qeverinë dhe nuk e ka votuar rrëzimin e tyre.

Postimi i plotë i Pacollit:

Me mendje dhe me zemër 24 orë në “lokacionin” tim të dashur, Kosovë, po ndjek me shqetësim, por dhe buzagaz satirik, telenovelat policore rreth meje, që më në fund panë heroin e ri, zotëri Kurtin. Ndërsa Kosova si mbarë bota, e prekur nga pandemia, pret prej tij mesazhe bashkimi, pajtimi, qetësie, moderimi, pret punë për çkapjen e shtetit dhe jo fjalë mediash sociale, ai bën sfida duelesh mesjetare.

Pse zotëri Kurti? Ju kam pritur në shtëpinë time, ju kam hapur dyert, zemrën dhe gjithçka sipas traditës së shqiptarit. A nuk kam qenë nikoqir i mirë?

A nuk e kam votuar përkundër presioneve, qeverinë tuaj me shpresën për ndryshim? Por ju thashë: kujdes, historia nuk fillon me ju! Nuk kam kërkuar kurrgjë; por në vend të mirënjohjes, nuk kam pritur këto sulme të egra që më kujtojnë Shqipërinë e viteve 70, regjimit një partiak.

Ju kam bërë tranzicion model të detyrës tek ju, dhe tek pasardhësi im në krye të Ministrisë së punëve të jashtme. Nuk kam votuar rrëzimin e qeverisë tuaj. Nga cilat modele ideologjike vjen kjo egërsi ndaj meje?

Ç’është ky Xhelali, sinonim i xhandarit personal të kryeministrit në letërsinë komuniste, që shkel ligj dhe kushtetutë e që më kërcënoka mua, ndërsa jam duke përkryer projektin e rindërtimit të Thumanës nga tërmeti, në banesën time? Ç’janë këta policë të mendimit, këta luogotenentë marksistë që kërcënojnë dhe kryeministrin e Shqipërisë se më strehoka mua? Mua që me votën time mund të votuam qeverinë e pasardhësit të zotëri Kurtit? Kam dhimbje të madhe se stili juaj i të bërit politikë, po dehumanizon brezin e ri të Kosovës, po e merr peng atë, rininë, ëndrrat e saj.

Shikoni sa egërsi, sa shpërfytyrim ka në mesazhet e të rinjve mbështetës tuajët në mediat sociale, sipas modeleve të shoqërive të egra aziatike, dhe të Partisë së Antiamerikanëve që përfshin dhe tajkonë mediatikë, me themel mu në trashëgiminë titiste apo enveriste të shoqërisë sonë. E di që xhandarët tuaj të mendimit do ma përmendnin Jelcinin, i cili ishte miku më i madh i Presidentit Klinton, çliruesit tonë.