Skip to content

Kishat e Shqiperisë reagojnë zyrtarishtë: Mesazhi i ministrisë shkakton revoltë, pse specifikohet vetëm shmangia e “grumbullimeve fetare”

Një postër i Ministrisë së Shëndetësisë ku kërkohej “shmangia e grumbullimeve fetare”, ka shkaktuar indinjatë. Posteri informativ, që mban firmën e tre institucioneve të rëndësishme – OBSH, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik- nuk thotë asgjë për grumbullimet kulturore, artistike, fasoneritë, baret, restorantet, por cek në mënyrë të njëanshme vetëm “grumbullimet fetare” si rrezikun e vetëm për infektim të qytetarëve.

I pari reagoi Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit,  Dom Gjergj Meta duke shfaqur pakënaqësi ndaj termit “grumbullime fetare” të Ministrisë së Shëndetësisë dhe pikërisht marrjen e tyre si shembull për t’u shmangur.

Teksa shpreson të jetë një lapsus, Dom Gjergji kujton se komunitetet fetare kanë qenë shumë pozitive, bashkëpunuese dhe ndihmëse dhe nuk e meritojnë një simbolizim të tillë aq më shumë nga një poster institucional.

“Çdolloj grumbullimi mund të jetë burim prekjeje dhe ngjitjeje virusi, e çdolloj vendi, edhe fasoneritë, edhe autobusat që i transportojnë, edhe baret apo restorantet që do të hapen shpejt. Por përpiluesit e këtij posteri kanë zgjedhur pikërisht grumbullimet fetare. A ka një arsye që është zgjedhur pikërisht kjo tipologji? A ka sinjale se përbën rrezik më të madh se sa grumbullimet e tjera?“, shkruan Dom Gjergji.

Kundër Ministrisë së Shëndetësisë doli edhe Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë, e cila, përmes një reagimi zyrtar, u shpreh kundër termave “grumbullim fetar” dhe “distancim social”.

“Natyra e komunitetit tonë ungjillor është e tillë, që kujdesi për njeriun është prioritar, dhe është një kuptim i gabuar dhe përhapje e një imazhi të gabuar, që “grumbullimi fetar” është një ngjarje pa kontroll dhe e paorganizuar, siç duket nga fjalët dhe imazhi i publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë. Kisha është një familje ku anëtarët janë të ndërgjegjshëm për natyrën e ngjarjes fetare kur ata vijnë për të adhuruar Perëndinë”, deklaron VUSH.

Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë kërkon që të hiqet termi “distancim social” dhe të zëvendësohet me “distancim fizik”.

“Gjithashtu, ne si Komuniteti Ungjillor theksojmë se jemi pro distancimit fizik, por JO distancimit social. Distancimi social ka pasoja të rënda për shëndetin e popullsisë, ndërsa distancimi fizik është në ndihmë të mospërhapjes së COVID-19“, përmbyll deklaratën VUSH.

Edhe famullitari i Shkodrës, Dom Vlash Palaj e ka quajtur të papërshtatshëm dhe fyes termin “grumbullime fetare”. Në reagimin e tij në Facebook, ai shkruan se është shumë fyese përdorimi i termit “grumbull”!.

“Në fakt, termin, ua sugjeroj ta përdorin lidhur me problemet e kësaj Ministrie sepse gjithmonë i ka pasur dhe i ka grumbull. Ju, zotëri, me papërgjegjshmërinë më të madhe (edhe se shpresoj të jetë pakujdesi), gjeni kohë me fol për ‘grumbullime’ besimtarësh! Edhe nëse këta të fundit përbëjnë problem, ju siguroj që është problemi i fundit i vendit tonë. Gjithashtu, Kryeministria, që aq shumë krenohet dhe përdorë harmoninë fetare, brenda dhe jashtë, për interesa nga më të ndryshmet, të kërkojë ndjesë ose të detyrojë subjektin në fjalë të kërkojë falje, si dhe të fshijë spotin nga siti përkatës”, shprehet famullitari Dom Vlash Palaj në reagimin e tij.

Reagimi i VUSH

Reagimi i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë kundrejt postimit diskriminues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Që prej fillimit të pandemisë, ne, si Komuniteti i Krishterë Ungjillor, kemi qenë në pararojë të kujdesit për parandalimin e përhapjes së virusit dhe ndihmës për nevojtarët gjatë kësaj periudhe. Natyra e komunitetit tonë ungjillor është e tillë, që kujdesi për njeriun është prioritar, dhe është një kuptim i gabuar dhe përhapje e një imazhi të gabuar, që “grumbullimi fetar” është një ngjarje pa kontroll dhe e paorganizuar, siç duket nga fjalët dhe imazhi i publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë. Kisha është një familje ku anëtarët janë të ndërgjegjshëm për natyrën e ngjarjes fetare kur ata vijnë për të adhuruar Perëndinë.

Mungesa e kuptimit të shërbesës fetare dhe e vlerësimit të kujdesit apo rolit të drejtuesve ungjillorë në organizimet e kishës, duket se tregohet negativisht në këto deklarata të pamenduara dhe të painformuara të faqes zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë. Ne si komunitet fetar, kërkojmë mosveçimin përjashtues apriori, sikur jemi një grup në vetvete i pamenaxhueshëm përkundrejt grupeve të tjera, si ato të bizneseve dhe kafeneve që perceptohen si më të menaxhueshëm, sepse e kundërta është e vërtetë, prandaj jemi gati si gjithë grupet e tjera të mbikqyremi dhe kontrollohemi rigorozisht për mbajtjen e rregullave të distancimit fizik dhe rregullave të tjera higjenike në ushtrimin e shërbesave tona, por nuk pranojmë të diskriminohemi pse jemi përkufizuar si “fetarë”.

Gjithashtu, ne si Komuniteti Ungjillor theksojmë se jemi pro distancimit fizik, por JO distancimit social. Distancimi social ka pasoja të rënda për shëndetin e popullsisë, ndërsa distancimi fizik është në ndihmë të mospërhapjes së COVID-19.

STATUSI NGA DOM GJERGJ META

“Grumbullimet fetare” apo lapsus-i i pavend i Ministrisë së Shëndetësisë

Koha që po kalojmë të gjithë bashkë, mbart në vetvete shumë ndërlikime, stres, paqartësi, por edhe shumë humanitet, solidaritet, përkujdesje e shërbim.

Në këtë situatë të gjithë po përpiqemi të bëjmë diçka të mirë e të bashkëpunojmë sa të jetë e mundur, si individë dhe si institucione, në mënyrë që të dalim faqebardhë nga kjo pandemi. Secili prej nesh mbart peshën e përgjegjësisë e po mundohemi të jemi në lartësinë e duhur përballë kësaj përgjegjësie. Këto kohë kam pasur rastin personalisht, per një sëre rrethanash, të shikoj angazhimin serioz dhe njerëzor të institucioneve dhe të shumë njerëzve që punojnë aty, edhe pse nuk duken shumë në media. Për këtë meritojnë gjithë përgëzimin tonë.

Çka më tërhoqi vëmendjen dje paradite ishte një poster informativ që mbante firmën e tre institucioneve të rëndësishme, OBSH, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik. Pyetjes se çfarë do të thotë distancim social ky poster i përgjigjej me dy ilustrime. Së pari që me distancim social nënkuptohet mbajtja e minimum një metër distance nga njëri-tjetri dhe së dyti se duheshin shmangur vendet e populluara, të tilla si grumbullimet fetare.

Më bëri përshtypje se si pikërisht të djelën në mëngjes, një poster zyrtar, merr si të vetmin shembull për t’u shmangur grumbullimin fetar. Dua të besoj se ka qenë një lapsus, edhe pse këto të fundit nuk janë asnjëherë “të pafajshëm”, së paku sipas psikoanalizës.

Ështe e çuditshme kjo zgjedhje fjale, apo tipologjie grumbullimi, ndërkohë që mund të ishin marrë edhe shembuj të tjerë. Përveç faktit që fjala grumbullim në konceptin religjioz (së paku atë katolik) është një term jo i përshtatshëm, pasi grumbullimi ka të bëjë me masa amorfe, apo me gjëra lëndore, më shumë se sa me njerëz, ky përdorim më krijoi një ndjesi të pakëndshme ndërsa e lexoja.

Çdolloj grumbullimi mund të jetë burim prekjeje dhe ngjitjeje virusi, e çdolloj vendi, edhe fasoneritë, edhe autobusat që i transportojnë, edhe baret apo restorantet që do të hapen shpejt. Por përpiluesit e këtij posteri kanë zgjedhur pikërisht grumbullimet fetare. A ka një arsye që është zgjedhur pikërisht kjo tipologji? A ka sinjale se përbën rrezik më të madh se sa grumbullimet e tjera?

Duke ndjekur logjikën e postimit në fb të faqes së Ministrisë së Shëndetësisë duket se kjo lloj shmangje do të ndodhë derisa të gjendet vaksina. Çfarë mesazhi kërkohet të përcillet në këtë rast? Dhe kujt i drejtohet? Në fakt po t’u hedhësh një sy komenteve në këtë postim nuk e gjen një koment që të jetë dakort me përmbajtjen e posterit e sidomos me përdorimin e togfjalëshit “grumbullim fetar”, madje ka edhe shumë zemërim në pothuajse totalitetin e komenteve.

Duhet thënë se, ndryshe nga shumë vende të tjera, në Shqipëri, komunitetet fetare kanë qenë të parat, dhe me nismë të tyre, që kanë pezulluar veprimtaritë fetare, për të bashkëpunuar në të mirën e ruajtjes së shëndetit të njerëzve.

Në shumë raste krerët fetarë kanë dhënë mesazhe shumë pozitive për këtë situatë si p.sh. për respektimin e rregullave, apo duke u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë, duke mbajtur të gjallë dritën e shpresës, përkundrejt një retorike shpesh të dhunshme dhe frikësuese institucionale të pësuar nga njerëzit, në një kontekst ku tashmë kishte mjaft ngarkesë për shkak të pandemisë.

Nuk mendoj se ka pasur ndonjë gjë më pozitive se sa komunitetet fetare që kanë mbështetur pa kushte njerëzit e po ashtu kanë inkurajuar ata që punojnë me të sëmurët, mjekët dhe infermierët, nga pikëpamja morale e shpirtërore. Komuniteti Bektashi dhe ai Ortodoks kanë dhënë edhe ndihma materiale për policinë e shtetit.

Shpesh, për shkak të vendimeve që kemi marrë, na është dashur të përballemi edhe me besimtarët tanë që kërkonin me çdo kusht rifillimin e veprimtarive fetare, por kemi bërë thirrje për durim dhe në çdo komunikim tonin me besimtarët kemi kërkuar zbatimin e rregullave të vendosura nga shteti e kemi vepruar në baze të atyre rregullave. Kemi vlerësuar punën e mjekëve dhe të punonjësve të rendit në çdo moment. Po ashtu institucionet dhe vendet e kultit janë dizinfektuar si kudo tjetër.

Sigurisht kemi bërë vetëm detyrën e nuk meritojmë asnjë falenderim, pasi jemi të bindur se kemi bërë gjënë e duhur.

Prandaj unë shpresoj që ky lapsus të jetë i rastësishëm e të ketë mundesi dhe kohë që të korrigjohet, pasi kemi bërë aq sa kemi mundur për mirë, për të mos merituar një stigmë të tillë në një poster institucional. + Dom Gjergj Meta

Reagimi Dom Vlash Palaj

Ministria e Shëndetësisë, me pakujdesin më të madh, pash se dje kishte publiku spotin mbi distancimin social. Me një papjekuri tipike militantësh…, urdhëron në mënyrë eksplicite mosgrumbullimin fetar. Menjëherë më lindi pyetja: Çfarë tagri, lidhje, ka Ministria e Shëndetësisë me asambletë fetare? Në rast problemi, përgjegjësia bie mbi Komunitetet fetare, Kryeministrinë (si administruese e emergjencës) apo Forcat e rendit.

Mendoj se është shumë fyes përdorimi i termit “grumbull”! Në fakt, termin, ua sugjeroj ta përdorin lidhur me problemet e kësaj Ministrie sepse gjithmonë i ka pasur dhe i ka grumbull. Ju, zotëri, me papërgjegjshmërinë më të madhe (edhe se shpresoj te jete pakujdesi), gjeni kohë me folë për “grumbullime” besimtarësh! Edhe nëse këta të fundit përbëjnë problem, ju siguroj që është problemi i fundit i vendit tonë.
Prandaj, qëndrimi Juaj është krejtësisht i papërshtatshëm dhe fyes.

Vlerësoj se Komunitetet fetare, Krerët e tyre, të cilët mendoj se po sakrifikojnë shumë në respekt të mbrojtjes së jetës si dhe të ligjeve në fuqi, që të mos heshtin përballë fyerjeve të tilla. Në lojë nuk është vetëm dinjiteti Juaj, por i çdokujt që beson në Zot.

Gjithashtu, Kryeministria, që aq shumë krenohet dhe përdorë harmoninë fetare, brenda dhe jashtë, për interesa nga më të ndryshmet, të kërkojë ndjesë ose të detyrojë Subjektin në fjalë të kërkojë falje, si dhe të fshijë spotin nga siti përkatës. Dom Vlash Palaj