Komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore zhvilloi të mërkurën mbledhjen online, e para kjo që pas kohës së shtetrrethimit. Mbledhja e komisonit u zhvillua një ditë pasi opozita jo parlamentare, PD, LSI dhe aleatët e saj njoftuan braktisjen e Këshillit Politik.
Vendimi i opozitës lidhej me faktin se sipas tyre socialistët po zvarrisin pa fund variantet e paraqitura për një reformë zgjedhore me konsensus. Qëndrimi u dha nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, por socialisti Damian Gjiknuri kërkoi që ky qëndrim i opozitës të vinte në rrugë zyrtare nga ana e Partisë Demokratike.
“Opozita jashtëparlamentare duhet ta shfrytëzojë këtë kohë të mbetur, sidomos muajin maj në mënyrë që në qershor ti japim kohë parlamentit të shqyrtojë draftet dhe ti miratojë ato. Thirrja ime është e thjeshtë. Nuk e kuptova mirë nga deklaratat e PD dhe opozitës dje. Disa përfaqësues të opozitës lëshuan disa mesazhe kontradiktore nëse janë të gatshëm të vazhdojnë dialogun në Këshill apo e konsiderojnë punën të ezauruar me ato drafte që kanë sjellë. Puna u ndërpre për shkaqe objektive, pandemia e Covid-19. Ne duhet ta rifillojmë ku e lamë, dora jonë është e shtrirë dhe presim që këto çështje ti adresojmë së bashku. Por mospjesëmarrja e tyre nuk mund të mbajë peng një proces të rëndësishëm që nuk u përket vetëm disa partive por të gjithë shqiptarëve”, deklaroi Gjiknuri për mediat.
I pyetur nëse ka pasur diskutime me PD gjatë kësaj periudhe, ai dha këtë përgjigje: Kam bërë kontaktet e mia informale, kam folur dhe me përfaqësues të diplomacisë së huaj për të nxitur dialogun. Nuk kam marrë përgjigje definitive.
“Disa deklarata të djeshme nuk i kuptova mire dhe i mbetet opozitës për ti qartësuar. Duhet të jetë në interesin e PD që ky proces të vazhdojë. Në të kundërt Parlamenti i ka votat, mazhoranca i ka votat e saj dhe do të përpiqemi dhe me opozitën parlamentare të bëjmë numrin e nevojshëm të votave për kodin zgjedhor. Parlamenti është krejtësisht legjitim për ta miratuar. Dëshira jonë ka qenë të jetë pjesë integrale e këtij procesi. Kjo nuk mund të kthehet në një çek pa skadencë, ndryshe vendi do të mbahet peng”, theksoi Gjiknuri.
Ndërsa nga demokratët ka një pretendim se nga mazhoranca nuk ka dhënë ende një datë për mbledhjen e Këshillit Politik, Gjiknuri tha se nuk është në dijeni porse do ti drejtohet zyrtarisht PD-së. “Nëse mbetet problemi për datën do ti drejtohem zyrtarisht PD. Jam për vazhdimin e dialogut dhe mbledhjen e Këshillit Politik menjëherë javën tjetër aty ku e lamë. Datën dhe modalitetet mund ti përcaktojmë nisur dhe nga masat që janë ende në fuqi për shkak të pandemisë. Këshilli Politik pa opozitën nuk ka kuptim. Nëse nuk duan të marrin pjesë ta thonë dhe të na lënë ne të vazhdojmë punën:”, theksoi socialisti që ka mbi supe peshën e realizimit të reformës zgjedhore.
Hajdari: S’ka problem vijojmë edhe pa këshillin politik
Pas mbledhjes që zgjati për më shumë se 1 orë e gjysmë, Rudina Hajdari, tha se shumica e çështjeve janë dakordësuar dhe nuk përbën problem edhe nëse Këshilli Politik nuk mblidhet më.
“Ishte mbledhje informuese, i prezantuam me propozimet që kanë ardhur në Këshillin Politik, 13 çështje. U ra dakord që do të ecej përpara në Komision dhe do të shikojmë si do ti miratojmë të gjitha propozimet e dakordësuara. Reforma duhet bërë se është detyrim për negociatat. Çështja më e nxehtë është sistemi. Nuk shikoj ndonjë problem edhe nëse Këshilli Politik nuk mblidhet më. Për pjesën dërmuese kemi rënë dakord. Jo të gjitha propozimet mund të merren parasysh. Nuk mund të zgjedhim dot një Kolegj Zgjedhor me gjyqtarë që nuk e kanë kaluar vettingun, ky është propozimi im”, theksoi Hajdari.
