Operacioni Forca e Ligjit (OFL) nëpërmjet një njoftimi për media, u nxitua të publikonte lajmin për bllokimin e një sasie prej 1.2 milion litra nafte në Portin e Durrësit, që shërbente për furnizimin e anijeve. Biznesi thuhej se ishte në pronësi të Lulzim Berishës dhe që prej datës 13.02.2019 i ishte revokuar liçenca për ushtrimin e këtij aktiviteti. Pavarësisht revokimit të licencës, sipas OFL-së, Lulzim Berisha ka vazhduar aktivitetin e tregtimit të naftës për peshkimin në mënyrë të paligjshme, duke përdorur shantazhin ndaj konkurrencës dhe duke tentuar të krijojë një monopol kërcënues për operatorët e industrisë së peshkimit.
Deri këtu duket një njoftim i zakonshëm, i përcjellë nga të gjitha mediat. Por në fakt, ky operacion policor është i nxituar dhe i gabuar, pasi ata kanë bllokuar “padashje” një biznes të rregullt të Lulzim Berishës, duke ngritur dyshime të forta për një show të OFL-së, sesa një aksion të mirëfilltë.
Gazeta SHQIP disponon dosjen e plotë hetimore, që nga nisa e këtij operacioni e deri tek sekuestrimi i 1.2 milionë litra naftë. Fillimisht nëse i hedhim një sy ekstraktit në Qendrën Kombëtare të Biznesit, biznesi i naftës së Lulzim Berisha është i regjistruar me emrin “RAJAN 2007” dhe sot zotëron 2 liçenca aktive si dhe liçencën e revokuar mbi të cilën OFL mbështet sekuestrimin e naftës.
Dy liçencat aktive që sot e kësaj dite ushtron aktivtet “RAJAN 2007” janë:
“…… Miratimin e kerkeses LC-0452-07-2019, date 16.07.2019 per licence “Transport rrugor nderkombetar mallrash per te trete e me qira” per subjektin –REJAN 2007 ( LN NUIS/NIPT : L91419503A), me seli ne Durres..
“……Miratimin e kërkesës LC-1150-07-2019, date 30.07.2019 per license “Tregetim me shumice i naftes , gazit, nenprodukteve perfshire ato bio si dhe lende djegese.
Ndërkohë liçenca e revokuar është:
“Furnizimit me karburant, per konsum, te anijeve ne porte dhe ne rada. “ Nr. LN -9001-10-2019.
Nëse lexojmë me vëmendje, shihet qartë që OFL ka bllokuar një aktivitet që ka liçencë aktive për tregtimin e naftës me shumicë (LC-1150-07-2019) dhe i është revokuar vetëm liçenca për furnizimin me karburant për anijet. Pra, sekuestrimi i 1.2 milionë litra naftë është i paligjshëm, përsa kohë “RAJAN 2007” ka ende aktive një tjetër liçencë.
Kjo tregon se operacioni është i nxituar dhe është mbështetur vetëm tek një dokumentacion i pjessshëm i kompanisë. Ndërkohë edhe liçenca e revokuar, ka një histori më vete, që do ta shpjegojmë më poshtë. Ajo është në proces gjyqësor në Gjykatën Administrative, e cila për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19, ende nuk e ka marrë në shqyrtim.
Ardi Veliu kundër Lulzim Berishës!
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, është angazhuar personalisht për t’i revokuar liçencën e “Furnizimit me karburant, per konsum, te anijeve ne porte dhe ne rada. “ Nr. LN -9001-10-2019.
Gazeta SHQIP disponon një kërkesë me nr. 984/2, date 06.02.2020 të drejtuesit të lartë të policisë, drejtuar Ministrisë së Energjisë dhe Transportit. Veliu i kërkonte Ministres Balluku që t’i hiqej ose revokohej liçenca Nr. LN -9001-10-2019, biznesit të Lulzim Berishës, me argumentin se kjo është një masë parandaluese me karakter ekonomik, bazuar në Aktin Normativ nr.1 datë 31.01.2020 (ligji për krijimin e OFL-së).
I dyshimtë është fakti, se përse Drejtori i Përgjthshëm Ardi Veliu kërkoi vetëm revokimin e një liçence të Lulzim Berishës, atë të furnizimit me karburant të anijeve në port dhe nuk kërkoi edhe heqjen e dy liçencave të tjera aktive.
Kjo ngre dy hipoteza që kërkojnë një shpjegim: E para që zoti Veliu nuk është informuar saktësisht nga strukturat e OFL-së për numrin e liçencave dhe veprimtarinë e “RAJAN 2007”. Dhe e dyta, që segmente të caktuara të Policisë së Shtetit mund të jetë vënë nën shërbim të një konkurrenti tjetër në sektorin e naftës, për të nxjerrë jashtë loje biznesin e Lulzim Berishës.
SPAK kundër OFL, nuk e sekuestroi “RAJAN 2007”
Nëse i hedhim një sy dosjes së Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK), biznesi i naftës së Lulzim Berishës nuk është në listën e aseteve të sekuestruara dhe nën hetim. Sipas kërkesës për “Vlerësimin e masës së sekuestros”, prokurori i SPAK, Edvin Kondili nuk ka kërkuar sekuestrimin e “RAJAN 2007”, ky biznes ndodhet në emër të tre shtetasve, Lulzim Berisha me 40 %, Luljeta Berisha me 30 % dhe dhe Enkelejda Shoshi me 30%.
SPAK vlerëson se dy subjektet, Luljeta Berisha dhe Enkelejda Shoshi, që kanë shumicën e aksioneve në këtë shoqëri, nuk janë subjekte të OFL dhe për pasojë biznesi i tyre nuk mund të sekuestrohet.
Sipas prokurorit Kondili, Luljeta Berishës, motrës së Lulzim Berishës, i janë kthyer njëherë pasuritë e sekuestruara në vitin 2010, nga Gjykata e Lartë, pasi nuk u vërtetuan paligjshmëri dhe të ardhura nga aktiviteti criminal.
Për këtë arsye, Prokuroria e Përgjithshme kërkoi vetëm sekuestron e një automjeti tip BMW, ngjyrë e zezë me targa AA 505 XA.
Të njëjtën gjë vendosi edhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pranuar kërkesën e SPAK. Në vendimin e datës 2 mars 2020, thuhej se Gjykata vendos sekuestron vetëm të automjetit BMW me targë AA 5050 XA, për një periudhë 4-mujore.
Pra, biznesi i naftës “RAJAN 2007”, të Lulzim Berishës, nuk ka qënë asnjëherë subjekt i hetimit nga SPAK, por OFL e ka sekuestruar për llogari të sajën. Kjo rezulton të jetë një formë e gabuar e Policisë së Shtetit, për të çuar një njeri para drejtësisë.
Mbetet për tu parë sesi OFL do të justifikojë këtë operacion policor jo të ligjshëm.
Më poshtë vendimet e SPAK dhe Gjykatës së SPAK:
