Skip to content

Kohë pandemie/ Qeveria merr vendim, ja sa shpërblim do marrin punonjësit e azileve

Qeveria ka marrë një vendim për të dhënë një shpërblim për personelin që shërben në institucionet e përkujdesjes shoqërore rezidenciale publike, që janë në përgjegjësi administrimi të shërbimit social shtetëror dhe të bashkive.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave vendosi dhënien e një shpërblimi në masën 55 000 (pesëdhjetë e pesë mijë) lekë, për personelin që shërben në institucionet e përkujdesjes shoqërore rezidenciale publike, që janë në përgjegjësi administrimi të Shërbimit Social Shtetëror dhe të bashkive, të angazhuar në shërbimin ndaj përfituesve të sistemuar në këto institucione deri në përfundim të epidemisë së shkaktuar nga infeksioni COVID-19.

Sipas vendimit, shpërblimin e përfiton personeli që shërben në institucionet e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, dhe që është caktuar nga drejtuesi i institucionit për të punuar përtej kushteve normale të punës, me qëllim parandalimin e infektimit nga COVID-19 të përfituesve të shërbimeve të përkujdesjes shoqërore rezidenciale publike, sipas një grafiku të dakordësuar ndërmjet tyre.

Lista emërore e personelit, përfshirë ditët e angazhimit, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi, miratohet çdo muaj me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Social Shtetëror. Ndërsa fondi për shpërblimin e personelit të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2020.