Specialistja e ISHP-së, Silva Bino deklaroi se është trefishuar numri i testimeve për të zbuluar rastet aktive.
Bino shtoi se po përdoren disa metodika të reja për gjetjen aktive të rasteve me koronavirus.
“Situata duket jo keq, kemi trefishuar testimet këtë muaj dhe është 5% pozivititet. Për shembull kemi nën 5%, pra 3%, një indikator që duhet ta ruajmë, prandaj po marrim masat të rrisim numrin e testimeve dhe të gjejmë rastet aktive.
Po përdorim disa metodika të reja për gjetjen aktive të rasteve, duke përfshirë mjekun e familjes. Aktualisht kemi dy qytete transmetim të virusit, Tirana dhe Kruja, dhe vetëm në Shkodër kemi evidentuar raste. Në zonat e gjelbra janë pa raste, pavarësisht rritjes së testimeve” tha ajo.
Edhe drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico u shpreh se: “Po rrisim testimet, por po angazhohemi për një fushatë komunikimi për masat lehtësuese. Duket sikur do të jetë një përsëritje e ‘lani duart…etj.’ Kanë përfunduar protokollet për grupimet e bizneseve të reja që do të vijojnë normalisht në monitorim. Dhe besoj se do të vijojmë me këto shifra inkurajuese, mbase do të jemi në gjendje që vlerësimi i lehtësimit të masave të mos bëhet në harkun e intervaleve dy javore, por një javore, më dinamikë”.
