Skip to content

Virusi prezent që para marsit? Mjekët ironizojnë: Rrini të qetë tani!

Pas deklaratës së Komitetit Teknik të Ekspertëve, që mohon që koronavirusi ka qenë prezent në Shqipëri në muajt janar dhe shkurt, një grup mjekësh që mendojnë ndryshe reaguan.

Imazheristi Renato Osmanaj, plot ironi, shkroi në “Facebook” se testet serologjike për shqiptarët do të kryhen nga një kompani gjermane që ka zgjedhur Ministria e Shëndetësisë.

Sipas tij, tani të gjithë shqiptarët duhet të ndjehen të qetë. Shkrimin mjeku e shoqëron me një foto të filmit shqiptar “Ilegalët”.

“E fundit fare! IGG do kryhen nga një kompani gjermane e zgjedhur nga MSH. Gjaku do ju merret të sëmurëve në banesë nën sekret të plotë, pa pagesë! Laboratori gjithashtu është në një bazë sekrete në Tiranë! Puna ka filluar. Rrini rehat se u zgjidh edhe kjo punë!”

Pjesë e këtij diskutimi është bërë edhe doktori i njohur Renato Dasho, të cilit po ashtu nuk i mungon ironia.

“Nuk qenka filmi “Ilegalët”! Më shumë ngjan me “Fantomas”… Nuk besoj se ka arritur deri në këtë pikë…”

Renato Osmanaj është një nga mjekët e parë në Shqipëri që mbështeti publikisht tezën se COVID-19 në vendin tonë ka qarkulluar qysh para marsit.

Ai publikoi disa imazhe të mushkërive të pacientëve që sipas tij ishin trajtuar në spital gjatë janarit dhe shkurtit.

Ai, bashkë me doktorin Gëzim Xhepa, pretendojnë se këto imazhe tregojnë se të infektuarit e parë kanë qenë që në dy muajt e parë të vitit.