Shqipëria ka përcaktuar grupin qeveritar për negociatat me BE-në. Kryeministri Edi Rama ka zbuluar edhe kryenegociatorin e qeverise shqiptare dhe ai do të jetë Ambasadori Zef Mazi.
“Ne kemi ngritur grupin negociator. Kryenegociatori është një personalitet pa të sharë, edhe pse nuk ka hezituar të kritikojë edhe qeverinë tonë, por kjo është një arsye më shumë në këtë proces. Një personalitet i njohur dhe gjithëpranuar pë dijen e aftësitë e tij”, deklaroi Rama ne konferencen e përbashkët me ambasadorin e BE-se, Soreca.
Emri i tij nuk është i padëgjuar në politikën shqiptare. Mazi është një diplomat karriere dhe si duket emri i tij i përzgjedhur nga kryeministri Edi Rama ka ardhur edhe për faktin se ai ka shërbyer edhe si ambasador në kohën e qeverisjes Berisha, si ambasador shqiptar në Britaninë e Madhe.
Ai do të njihet si negociatori shqiptar për rivendosjen e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, në negociatat e vështira të fillimeve të demokracisë në Shqipëri.
Karriera, nisi si folës në Radio Tirana
Zef Mazi ka lindur me 27 janar 1956, në Tiranë. Ai është diplomat shqiptar i karrierës i cili, që nga viti 2011, shërben si Asistent Special për Strategjinë i Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike. Në këtë funksion ai ka qenë i angazhuar për formulimin, planifikimin dhe zbatimin e strategjisë për të gjithe Agjencinë, si dhe për manaxhimin e risqeve dhe të dijeve.
Rasti i Mazit është ai i një diplomati që ka njohur afirmimin personal në shërbimin e jashtëm shqiptar qysh herët. Ai ka një karrierë solide, tashmë mbi 31-vjeçare në shërbimin civil, dhe gati një çerek shekulli në marrëdhëniet ndërkombëtare e me jashtë në vijimësi.
Karriera e Zef Mazit lidhet me një formim fillestar në fushën e gjuhës së huaj. Anglishtja perfekte e mësuar në bankat e shkollave shqipe do të habiste më vonë mjaft diplomatë të huaj. Ne vitin 1977 ai kreu studimet e larta për gjuhë të huaja dhe gjuhë shqipe në Universitetin e Tiranës. Po atë vit, ai fillon punë në shtëpinë botuese “8 Nëntori”.
Ai punoi për 8 vjet radhazi si përkthyes në Redaksinë e Botimeve në Gjuhë të Huaja. Paralelisht me këtë, ai është përkthyesi dhe folësi shqiptar i Radio Tiranës në gjuhën angleze. Pas këtij aktiviteti intensiv, në vitin 1989 ai transferohet me detyrë të plotë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në Drejtorinë e Marrëdhënieve Shumëpalëshe, i ngarkuar me dosjen e KSBE-së (sot OSBE).
Me hapjen e Shqipërisë në vitet ’90, Mazi u përfshi sidomos edhe në shoqërimin e delegacioneve të para të huaja që po shkelnin në vendin tonë, si ato të Kongresit Amerikan, njeri i kryesuar nga Kongresmeni Tom Lantos, dhe i dyti nga bashkëkryetari i Komisionit të Helsinkit të Kongresit, De Consini, i sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Perez de Quellar, i kryetarit të Asamblesë të Përgjithshme të OKB, Guido de Marco, i përfaqësuesve të lartë të OKB, që u dërguan për të zgjidhur krizën e ambasadave në korrik 1990, kryesuar nga Stefan De Mistura, apo delegacioni i sekretarit të Shtetit Amerikan, Xhejms Bejker, e shumë të tjerë.
Në shtator të vitit 1990, Mazi caktohet anëtar i delegacionit qeveritar shqiptar ne Sesionin e 45 të Asamblesë të Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. në shtator 1991 si ministër-këshilltar, i ngarkuar me punë në ambasadën shqiptare në Austri dhe Zvicër. Zef Mazi caktohet paralelisht kryetar i Delegacionit të Shqipërisë në KSBE në Vjenë, dhe i ngarkuar përfaqësues i përhershëm, kryetar i Misionit të RSH, në OKB, IAEA, UNIDO dhe organizata të tjera ndërkombëtare në Vjenë.
Ai e ushtroi funksionin e ambasadorit, përfaqësues i përhershëm dhe kryetar i Misionit të RSH pranë organizatave ndërkombëtare në Vjenë deri në fund të vitit 1997.
Propozimi për president dhe vlerësimi i Nanos
Në vitin 2002, kur por bisedohej mes liderëve të PS-së dhe PD-së, Fatos Nano dhe Sali Berisha për një përzgjedhjen e një kandidatura konsensuale, padyshim në tryezë ishte edhe emri i Zef Mazit, ambasadorit të njohur.
Pas eksperiences 5-vjeçare në stafet e organizatave ndërkombëtare, në vitin 2002. Pas këtij momenti, duke iu përgjigjur kërkesës së kryeministrit të asaj kohe, Nano Mazi rikthehet në shërbimin diplomatik të vendit të tij, si ambasador, përfaqësues i përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë organizatave ndërkombëtare në Vjenë, zyra e OKB-së, OSBE, IAEA, UNIDO, CTBTO.
Në vitin 2004, ish-kryeministri Fatos Nano, me vendim të posaçëm të qeverisë, propozon Mazin kandidat zyrtar të Shqipërisë për postin e sekretarit të Përgjithshëm të OSBE. Në atë garë tepër të vështirë dhe të komplikuar, kandidatura shqiptare gëzoi respektin dhe vlerësimin e madh në nivelet më të larta të diplomacisë ndërkombëtare dhe qendrat e kryeqytetet kryesore, në të cilat ai bëri vizita lobingu, ku Mazi ka njohje dhe lidhje të gjëra.
Në vitin 2004, Mazi zgjidhet anëtar i Grupit Drejtues të Qendrës të Gjenevës për Politikat e Sigurimit, qendër kjo mjaft prestigjioze në Zvicër. Për dy vjet radhazi, paralel me detyrat e ambasadorit në Vjenë, me miratimin e qeverisë shqiptare, Mazi merr pjesë në të gjitha negociatat e mbyllura, pa publicitet, midis përfaqësuesve të lartë politike Kosovës dhe të Serbisë, në “shinën e dytë” (second track) për të ardhmen e statusit të Kosovës, që u organizua dhe u ndërmjetësua nga kjo qendër.
Ai ka luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në përgatitjen dhe paraqitjen e qëndrimeve, të zërit dhe të mendimit të Shqipërisë, duke u bërë konkretisht iniciator dhe protagonist, p.sh., në miratimin e 35 vendimeve politike vetëm për Kosovën në periudhën 1992-1997. Mazi ka qenë i pari ambasador i Shqipërisë që ka pasur nderin të caktohet dekani i trupit diplomatik të OSBE në Vjenë.
