Covid-19 po ndikon që shoqëria shqiptare dhe institucionet shqiptare të shmangin kontaktet direkte dhe të kryejnë mbledhjet online në Shqipëri. Parlamenti shqiptar për t’iu rikthyer normalitetit ka nisur mbledhjet online të komisioneve për të shqyrtuar projektligjet.
Por diçka e pazakontë ka ndodhur gjatë mbledhjes së komisionit parlamentar të Integrimit, ku deputeti i opozitës, Arlind Çaçani fliste dhe diskutonte për p/ligjin në të njëjtën kohë i jepte dhe makinës.
Pamjet janë ofruar nga Instituti i Studimeve Politike që merret me monitorimin e punimeve të Parlamentit.
Reagimi i Institutit
Votim nga makina? Votim nga jashtë shtetit? Pro, Kundër, Abstenim! Situata e fundit emergjente imponoi ndryshime në Rregullore dhe debatet online midis deputetëve në Komisione. Disa mbledhje kanë ecur mirë, eksperienca e re kërkon kohë të krijojë traditë dhe të verifikohet si funksionale, megjithatë ka raste kur janë tejkaluar edhe parashikimet më imagjinare. Ja dy prej disa shembujve të muajit të fundit:
Në ditët e para të mbledhjeve online mori pjesë në debat e votim një deputet….që ndodhej në SHBA! Dhe natyrisht votoi, megjithëse nuk ka asnjë të dhënë se ai mund të ketë pasur materialet e mbledhjes, t’i ketë studiuar e vlerësuar ato apo nuk ka ende ndonjë vendim që lejon deputetin të votojë edhe kur ndodhet mijëra kilometra larg Shqipërisë!
Por ka edhe tjetër model votimi, – ja p.sh, në Komisionin për Integrimin Evropian, një prej deputetëve merr pjesë në debat e votim edhe pse ndodhet në makinë duke udhëtuar! Një rrugë e tri punë, – udhëton, debaton dhe voton! E para, duket sikur ai është vetë në timon, Kodi Rrugor e ndalon përdorimin e teknologjisë gjatë udhëtimit dhe udhëtimin pa rrip sigurimi; së dyti Rregullorja e Kuvendit nuk ka ndonjë dispozitë që parasheh votimin në këtë formë dhe së treti…është interesante të mësohet sesi deputeti gjatë udhëtimit ka ndjekur debatin, ka lexuar materialin dhe në fund ka krijuar bindjen e votimit! Por imagjinoni nëse ai do të kërkonte fjalën për të bërë ndonjë amendim, për procedurë apo për të bërë pyetje dhe diskutim!!!
P.S. Jemi kurioz sesi do reagojë Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën, drejtuesi i të cilës ishte gjithashtu në mbledhje, natyrisht nga zyra/banesa, jo nga makina!
