Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka denoncuar bllokimin që Ministria e Brendshme po bën duke mos dorëzuar 3700 dosje të ish Sigurimit të Shtetit.
AIDSSH e ngriti problemin në raportin vjetor të punës të paraqitur në kuvend, ndërsa bën të ditur se kjo situatë vijon që nga maji i vitit të shkuar.
Gati 5 vite më parë mazhoranca e majtë miratoi mes shumë debatesh ligjin që do mundësonte hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit si një mundësi për rehabilitiimin shpirtëror për vuajtjet që pësuan nga përndjekja e diktaturës mijëra qytetarë shqiptarë.
Por pavarësisht miratimit të këtij ligji, qeveria duket se nuk ka pasur vullnetin për të bashkëpunuar me Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për zbardhur të vërtetën e errët të ish-Sigurimit të Shtetit dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Më tej në raport evidentohen edhe dosjet që Ministria e Brendshme nuk pranon ti dorëzojë, ku përfshihet ato që kanë të bëjnë me sektorin hetimor-gjyqësor, degën e sigurimit të naftës, hetuesinë, brigadën e sigurimit, degët e sigurimit në rrethe dhe komitetin e partisë së punës me Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Gjatë vitit 2019, Drejtoria e Arkivit ka trajtuar në total 936 kërkesa, nga të cilat 135 kërkesa të paraqitura nga institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike institucionale, nëpërmjet të cilave kërkohej verifikimi i 286 shtetasve.
Ndërkohë që 506 janë kërkesa individuale të paraqitura kryesisht nga të prekurit apo nga të afërmit e të prekurve; 158 janë kërkesa për pajisjen me vërtetim për periudhën e internimit apo burgimit, 29 janë kërkesa për zbardhjen e bashkëpunëtorëve dhe 105 kërkesa studimore.
