Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore ka zhvilluar paraditen e sotme mbledhjen e parë përballë, që pas ndërprerjes për shkak të pandemisë së koronavirusit, dhe pak ditë, pas takimit online.
OSBE ka marrë të gjitha masat për sigurinë dhe mbarëvajtjen e takimit të sotëm të grupit të Punës të Këshillit Politik për reformën zgjedhore.
Mbledhja është zhvilluar në kushte të larta sigurie, ku para se të hynin në sallën e përcaktuar në Pallatin e Kongreseve, anëtarët janë pajisur me maska, doreza, dezinfektante për duart dhe u është matur temperatura.
Mesazhi i OSBE
Për të lehtësuar diskutimet dhe punën konkrete për reformën zgjedhore, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështet nga ana logjistike takimin e sotëm të grupit të punës të Këshillit Politik, në Pallatin e Kongreseve.
Në takimin e tyre të parë online, të hënën, anëtarët e grupit të punës së Këshillit propozuan që takimin e ardhshëm ta zhvillonin rreth një tryeze, për të pasur një mjedis pune më të efektshëm.
Prezenca ka mundësuar sallën e mbledhjes, që lejon respektimin e masave të distancës së sigurisë për COVID-19, dhe pajisjen e pjesëmarrësve me maska, doreza dhe higjienizues.
