Aktorët dhe aktivistët që vijojnë të mbrojnë godinën e Teatrit Kombëtar, thonë se janë sinjalizuar se në orën 23:00 të mbrëmjes së sotme, IMT do të ndërhyjë për të shembur godinën.
Krah tyre janë shfaqur sërish figura politike të opozitës, mes tyre edhe kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, e cila ka mbërritur me urgjencë tek sheshi i Teatrit.
Ajo qëndroi mbrëmjen e djeshme deri në orën e para të mëngjesit dhe u gjobit nga policia për shkelje të orareve të karantinës.
Pranë godinës së Teatrit është paraqitur edhe këshilltari ligjor i Presidentit të Republikës, zoti Dervishaj.
Mësohet se ka prezencë të shtuar të policisë në hyrjen e pedonales që të çon drejt Teatrit.