Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi u ul këmbëkryq në rrugë duke mos lejuar kalimin makinave. Ajo tha për mediat se do të qëndrojë sa të ketë mundësi, aty, ndërsa situata vazhdon që të jetë e tensionuar për shkak të prishjes së Teatrit Kombëtar.
“Unë do ta shkel ligjin e Edi Ramës. Do qëndroj këtu sa të kemi mundësi. Unë mendoj se ky është reagimi im i momentit. Nuk i njoh ligjet e Edi Ramës. Nuk e njoh as Edi Ramën as kush është me Edi Ramën. Është territori i Shqipërisë dhe jo i Serbisë. Vetëm një serb mund të prishë Teatrin Kombëtar “, u shpreh Kryemadhi.
Ajo shtoi se edhe vetë është e zhgënjyer nga politika e u bëri thirrje qytetarëve për qëndresë.
“Kush është i zhgënjyer le të vijë e të bllokojë rrugën, mos të respektojë ligjin e Edi Ramës. Më merr dhe më varni te Kali i Skënderbeut, se jam unë fajtorja e gjithë kësaj gjëje. Të marr përgjegjësitë e të gjithë politikanëve, të shoqërisë civile, që bën sikur lufton këtu, të gjithë mediave që thonë se jemi të lirë.”, vazhdoi ajo .
Gjatë fjalës së saj, nuk munguan as kritikat ndaj gazetarëve.
