Qendra në Tiranë e Lëvizjes Vetëvendosje deklaron se i bashkangjitet protestës së sotme ndaj shembjes së Teatrit Kombëtar.

REAGIMI

Sot së bashku me qytetarët në protestë për Teatrin!

Lëvizja VETËVENDOSJE! në Shqipëri i bashkangjitet protestës së sotme në orën 16:30 të thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës e të Shqipërisë që të protestojnë kundër shkatërrimit të paligjshëm dhe barbar të Teatrit Kombëtar si pjesë e trashëgimisë sonë kombëtare.

Me anë të kësaj proteste Lëvizja VETËVENDOSJE! në Shqipëri bën thirrje që të ndalen menjëherë veprimet e paligjshme të Qeverisë dhe të Bashkisë së Tiranës në zonën e Teatrit Kombëtar. Asnjë centimetër katror i Teatrit nuk duhet tjetërsuar.

Ekzistojnë të gjitha mundësitë arkitektonike dhe ndërtimore që kompleksi i Teatrit Kombëtar të rindërtohet me arkitekturën dhe materialet origjinale dhe të vihet në funksionim me kushtet më bashkëkohore për shfaqjet artistike.

Veprimet e djeshme antikushtetuese, antiligjore dhe antikombëtare e zhveshën pushtetin aktual nga çdo grim legjitimiteti. Andaj kërkojmë shpërndarjen e Kuvendit të Shqipërisë dhe kërkojmë t’i hapet rrugë shprehjes së vullnetit të popullit.

Për shkeljet flagrante të Kushtetutës dhe të ligjit kërkojmë që:

1. Prokuroria të procedojë penalisht të gjithë përgjegjësit e dhunës në pushtetin qëndror dhe vendor;

2. Policia e Shtetit të ndalojë dhunën fizike dhe psikologjike ndaj qytetarëve që ushtrojnë të drejtat e tyre kushtetuese;

3. Të lirojë të gjithë të arrestuarit e protestës në mbrojtje të Teatrit Kombëtar.
Ata që sot rezistojnë, nesër fitojnë!

Tiranë, 18 maj 2020

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Qendra në Shqipëri

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re