Skip to content

Ish-presidenti i KE: Dënoj shembjen e Teatrit dhe dhunën, bie ndesh me vlerat europiane

Reagimet pas shembjes së Teatrit Kombëtar, vazhdojnë të mbërrijnë. Ashtu siç deklaroi një ditë më parë Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, edhe sot KE-ja nënvizoi se kishte kërkuar dialog mes autoriteteve dhe shoqërisë civile përpara se të merrej një vendim i pakthyeshëm” dhe se “ndihej i keqardhur që kjo thirrje nuk u ndoq nga institucionet përkatëse kombëtare dhe vendore”. Komentet për këtë situatë pati edhe ish presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk.

“E dënoj shembjen e teatrit kombëtar në Tiranë të dielën, e cila bie ndesh me vlerat europiane siç është ruajtja e trashëgimisë kulturore, sundimi i ligjit dhe dialogu transparent. Frikësimi dhe përdorimi i dhunës ndaj protestuesve, shoqërisë civile, artistëve, si dhe politikanëve të opozitës është i papranueshëm. Sundimi i ligjit, media e pavarur dhe e lirë dhe lufta kundër korrupsionit duhet të mbizotërojnë për perspektivën europiane të Shqipërisë. Unë shpreh mbështetjen time për partinë tonë anëtare, PD, në luftën demokratike për një Shqipëri më të mire”, ka shkruar Tusk në faqen e tij në Facebook. Shembja e Teatrit u bë në orët e para të mëngjesit të së dielës, ndërsa qindra forca rrethuan zonën dhe larguan me forcë personat që gjendeshin brenda në godinë.