Skip to content

Shërohet nga Covid 19 kthehet në punë kryeministri rus Mishustin

Kryeministri rus, Mikhail Mishustin,  është kthyer në detyrë pasi është shëruar nga koronavirusi. Mediat vendase bëjnë me dije se një dekret i nënshkruar nga presidenti Vladimir Putin, i botuar në faqen e internetit të Kremlinit, anuloi aktvendimin e tij të mëparshëm, me të cilin zëvendëskryeministri Andrei Belousov është emëruar ushtrues detyre, për shkak të sëmundjes së Mishustinit.

Mishustin njoftoi më 30 prill se ishte prekur nga COVID-19. Ai ka zhvilluar disa takime online me qeverinë e tij, gjatë qëndrimit në spital.  Ndërkohë të martën, autoritetet në Rusi thanë se kanë regjistruar edhe 9,263 raste të reja me koronavirus, të cilat e rrisin në 299,941 numrin e përgjithshëm të të infektuarve në këtë vend.

Shifra për 24 orët e fundit është nën 10,000 për të katërtën ditë me radhë. Për pjesën më të madhe të muajit maj, numri ditor i të infektuarve në Rusi ka qenë mbi 10,000, ndërsa numri i të vdekurve në 24 orë shkoi në 115.