Skip to content

Vendimi/ Qeveria: Gjoba 1 milionë lekë për televizionet dhe punëdhënësve nëse …

Qeveria ka miratuar sërish ndryshime në aktin normativ, duke lejuar që në studiot televizive të kenë një të ftuar duke ruajtuar distancën. Sipas këtij vendimi nëse nuk respektohet kjo distancë atëherë televizionet do të gjobiten.

“Të gjitha transmetimet audiovizive me më shumë se një person në të njëjtën studio televizive, që nuk respektojnë distancën e sigurisë prej 2 metrash nga njëri-tjetri, dënohen me gjobë në masën 1 000 000  lekë dhe, në rast përsëritjeje, iu shtohet edhe vendosja e bllokimit, të pjesshëm ose të plotë, të transmetimit nga media audiovizive si dhe bllokimi dhe/ose ndalimi i funksionimit të pajisjeve, pas marrjes së vendimit nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe zbatohet nga organi kompetent.”, thuhet në këtë vendim.

Ka pasur shumë debate në lidhje me faktin e mos lejimit në studiove të personave të ftuar, në një kohë që i është sugjeruar qeverisë që të lirojë masat shtrënguese ndaj televizioneve.

Vendimi i dytë i qeverisë ka bëjë me faktin që gjobiten ata punëdhënës që nuk deklarojnë punonjësit apo ish-punonjësit e tyre për të përfituar nga paga e luftës.

 

Në nenin 3, të aktit normativ nr.3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Pika 13 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“13. Të gjitha transmetimet audiovizive me më shumë se një person në të njëjtën studio televizive, që nuk respektojnë distancën e sigurisë prej 2 metrash nga njëri-tjetri, dënohen me gjobë në masën 1 000 000 (një milion) lekë dhe, në rast përsëritjeje, iu shtohet edhe vendosja e bllokimit, të pjesshëm ose të plotë, të transmetimit nga media audiovizive si dhe bllokimi dhe/ose ndalimi i funksionimit të pajisjeve, pas marrjes së vendimit nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe zbatohet nga organi kompetent.”.

2. Pas pikës 20 shtohet pika 21, me këtë përmbajtje:
“21. Moskryerja e aplikimit nga ana e subjektit të të punësuarit apo ish-të punësuarit që plotëson kushtet për të përfituar ndihmën financiare, gjatë periudhës së fatkeqësisë natyrore të shpallur si pasojë e COVID-19, dënohet me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

Subjektet, të cilat i kanë trajtuar me pagë të plotë të punësuarit apo ish-të punësuarit nuk gjobiten për mosaplikim për përfitimin e ndihmës financiare.

Subjektet e gjobituara mund të ushtrojnë të drejtën e ankimit pranë administratës tatimore, duke paraqitur në rrugë elektronike, nëpërmjet portalit e-filing, shkaqet dhe/ose arsyet e mosaplikimit, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e komunikimit të gjobës, sipas Kodit të Procedurave Administrative.”.

Neni 2

Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.