Skip to content

Meta thërret opozitën në takim, mungon Kryemadhi

Që prej orës 09:00 ka nisur takimi i presidentit Ilir Meta me liderët e partive politike të opozitës. Kreu i shtetit nuk po zhvillon takimet në presidencë, por në vilën katër në Pallatin e Brigadave.

Në qendër të diskutimeve do të jetë situata e krijuar pas shembjes së Teatrit Kombëtar. LSI-ja në këtë tryezë përfaqësohet nga nënkryetari i saj, Petrit Vasili dhe jo kryetarja Monika Kryemadhi.

Presidenti Ilir Meta ka dënuar shembjen e Teatrit Kombëtar, duke e cilësuar si akt barbar dhe shkombëtarizues. Nga ana tjetër edhe opozita ka deklaruar se do të jetë në krah të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe do të mbështesë çdo protestë qytetare.

Ndërsa pjesë e diskutimet mësohet se do të jetë edhe reforma zgjedhore, ku ndërkombëtarët tashmë kanë nisur negociatat me partitë politike, për ta përmbyllur atë brenda 31 majit. Me afrimin e këtij afati, po del në skenë edhe fakti që po kërkohet ndryshimi i sistemit. Opozita për shkak të prishjes së Teatrit ka bojkotuar takimet për reformën zgjedhore dhe kjo ka përbërë një shqetësim nga ndërkombëtarët.