Skip to content

A po tenton presidenti një takim Rama-Basha? Meta ka një plan me 11 pika për krizën

Presidenti Ilir Meta po merr një rol ndërmjetësuesi mes palëve, duke dhënë një sinjal se mund të realizojë ndonjë takim mes dy liderëve kryesorë të politikës shqiptare, Edi Ramës së PS-së dhe Lulzim Bashës së PD-së.

Pas takimit me liderët e opozitës parlamentare mësohet se presidenti ka paraqitur një paketë me 11 pika që synon sipas burimeve zgjidhjen e krizës politike. Një fakt i tillë është publikuar edhe nga kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, pjesëmarrës në takimin me presidentin.

“Ka ardhur koha për të mbajtur një tryezë politike, për të çuar përpara disa nga pikat e kërkuara nga Europa, që Meta i ka përpara, se si do të shkohet përpara, kryesisht dhe reforma zgjedhore.  Presidenti na informoi dhe kërkoi nga ne të dijë se si do të vazhdohet se sa i përket reformës zgjedhore në këtë situatë”, tha Shehi.

Ai theksoi se “si opozitë i qëndrojmë atyre 5 pikave që është pika kryesore, një qeveri tranzitore që të na garantojë, jo vetëm ne zgjedhjet e ardhshme, por edhe socialistët”.

Reforma zgjedhore është një kërkesë e ndërkombëtarëve si pjesë e kushteve për procesin e integrimit. Kryeministri Edi Rama disa ditë më parë me shpalljen e kryenegociatorit shqiptar, Zef Mazin, u shpreh i gatshëm për t’u ulur në një tryezë me Bashën dhe presidentin Meta për çështjen e integrimit.

Edhe më herët në krizën e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, presidenti kishte kërkuar një tryezë politike mes Ramës dhe Bashës, por ajo u refuzua nga socialistët. Ndërsa kësaj here sinjalet e refuzimit janë nga Basha, porse ende nuk dihet përgjigja e PS-së, në rast të një ftese të tillë për një tryeze të re politike.

Presidenti për realizimin e një tryeze të tillë po kërkon siç duket ndihmë edhe te ndërkombëtarët, pasi menjëherë pas takimit me liderët e partive opozitare u takua dhe me ambasadorët e BE-së dhe SHBA-ve.