Autoritet shqiptarë po verifikojnë rastin e Klodjan Zaimajt, shqiptarit nga Cërriku i arrestuar pak ditë më parë në Malajzi, nën akuzën e lidhjeve me grupet terroriste.
Agjentët po kontrollojnë lidhjet e tij me elementë në Shqipëri, për të parë natyrën e tyre e nëse ka komunikime të dyshimta.
Ndërkohë në një reagim për mediat, myftiu i Elbasanit Agim Duka, tha se bashkësia e muslimanëve të këtij rrethi nuk ka asnjë lidhje me Klodjan Zaimajn.
Sipas tij, katër vjet më parë myftia e Elbasanit denoncoi shfaqjen e elementeve me prirje radikale në zonën e Cërrikut, aty ku Zaimaj ka marrë mësimet e para fetare.
Ndërkohë familja e Klodjan Zaimajt ka mohuar implikimin e tij në rrjetin e ekstremistëve të lidhur me ISIS. Ata thanë se ky është një kurth, pasi Klodiani nuk ka të bëjë fare me terroristët.