Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi se nga java e ardhshme do të fillojë puna për për ndërtimin e 870 shtëpive të dëmtuara nga tërmeti.
Ai ishte për vizitë në familjen Kalleshi, në Pezë Helmes, ku dorëzoi çelësat e banesës së re.
“Premtuam se festa e Bajramit do të na gjente me shtëpinë e re, dhe falë miqve si Visari, kjo u bë e mundur në kohë rekord. Por, lajmet më të mira do t’i kemi javën tjetër, me ndërtimin e 870 shtëpive të reja, sapo të mbarojmë me të gjitha procedurat për ofertat. Mandej, do të shpërndahemi në të gjithë territorin që të shfrytëzojmë kohën gjatë verës. Një gjë është e sigurt, kur ne shqiptarët punojmë bashkë bëjmë gjëra të mrekullueshme.
Sigurisht, bashkë do të bëjmë edhe Teatrin. Do të fillojmë shumë shpejt nga puna. Arkitektët do të shfrytëzojnë kohën e pushimeve, që të detajojmë projektin, pastaj kur të rifillojë jeta në shtator, të kemi filluar edhe atë kantier të ri”, tha Veliaj.