Që prej dhjetorit 2019 u krijuan dhe kanë filluar veprimtarinë e tyre SPAK dhe Gjykatat e Posaçme. Ngritja e tyre në kuadër të reformës në drejtësi u krye më qëllimin për të gjykuar veprat penale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe të gjitha veprat penale të kryera nga funksionarë të lartë apo ish-funksionarë të lartë. Reforma doli si nevojë për të ulur ndikimin e korrupsionit dhe politikës në sistemin e drejtësisë, të cilat patën shpënë në rënie dramatike të besimit në këto institucione.
Gjetjet e Barometrit Shqiptar të Sigurisë të kryer në tetor 2019 tregojnë se vetëm 6.28% e qytetarëve kanë shumë besim tek Gjykatat dhe 7.09% tek Prokuroria. 51.93% e qytetarëve nuk i besonin aspak Gjykatat dhe 50.04% u shprehën të njëjtën gjë për Prokurorinë.
Por Barometri i realizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, tregon se qytetarët kanë pritshmëri shumë më të larta dhe besim më të madh tek institucionet e reja: SPAK dhe Gjykatat e Posaçme. 43.05% e të anketuarve mendojnë se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të fuqizohet pas formimit të SPAK dhe 41.52% e qytetarëve mendojnë se gjykatat do të jenë shumë më efektive.
Në grafikët më poshtë prezantohen disa nga gjetjet e lidhura me perceptimet dhe pritshmëritë e qytetarëve ndaj institucioneve të reja të drejtësisë.