Skip to content

“Të gatshëm të zgjedhje”/ Çfarë paralajmëron Basha dhe mesazhet e SHBA për politikën

Në harkun e pak ditëve, Ambasadorja Yuri Kim ka zhvilluar tre takime me liderin e opozitës Lulzim Basha. Nëse në dy takimet e para, të paktën sipas atyre që janë raportuar në media, bisedat janë përqëndruar tek prishja e teatrit dhe protestat që ka mbështetur opozita për Aleancën për Mbrojtjen e teatrit, takimi i kësaj të marte ka qenë i një natyre krejt ndryshe, por i lidhur ngushtë me zgjidhjen e krizës politike.

Basha tha pas takimit, se mes tij dhe diplomates Amerikane është folur për zgjedhjet, Reformën Zgjedhore dhe mundësinë sa më parë të dërgimit të shqiptarëve pranë kutive të votimit.

“Organizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme është prioriteti absolut i Partisë Demokratike, i opozitës së bashkuar dhe i të gjithë shqiptarëve. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për t’u garantuar shqiptarëve mundësinë që t’u drejtohen një orë e më parë kutive të votimit dhe të zgjedhin qeverinë e tyre me votën e tyre të lirë, të pandikuar nga bandat kriminale, të pandikuar nga shitblerja e votës, të pandikuar nga paratë e korrupsionit” – tha Basha

Duke iu referuar afatit të Reformës Zgjedhore, që është vendosur tashmë në 31 Maj, Basha tha se “Jemi të vendosur për këtë betejë dhe do të bëjmë gjithçka që brenda 31 Majit, një afat që ne ia kemi kërkuar dhe ia kemi vendosur kësaj maxhorance, reforma të ketë përfunduar dhe, natyrisht, të bëjmë gjithçka që të garantojmë vullnetin politik për ta zbatuar ligjin, që është dhe problemi numër një me zgjedhjet në Shqipëri.

Dhe kjo në mënyrë që kjo krizë e thellë politike, kushtetuese dhe institucionale të marrë rrugëzgjidhje përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, ku shqiptarët të zgjedhin parlamentin dhe qeverinë që meritojnë me votën e tyre dhe, njëkohësisht, Shqipëria të ecë përpara, të mos mbahet peng i së shkuarës, por të hapë rrugën e integrimit europian dhe anëtarësimit të Shqipërisë në BE, që është dhe mbetet një nga zotimet kryesore ekzistenciale të PD që nga dita e saj e parë”.