Turin e saj të takimeve me zyrtarët e lartë të Shqipërisë, me qëllimin final miratimin e Reformës Zgjedhore brenda 31 majit, Ambasadorja Amerikane e ka vijuar me Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë e Reformës Zgjedhore, të Reformës në Drejtësi dhe të procesit të ingrimit europian të Shqipërisë, pas momentit historik të vendimit për çeljen e negociatave nga Bashkimi Europian.
Suksesi i Reformës Zgjedhore dhe i Reformës në Drejtësi është jetik për ecjen përpara të Shqipërisë, zhvillimin e vendit, konsolidimin e demokracisë dhe suksesin e proceseve integruese. Më herët, Ambasadorja Yuri Kim, pati një takim edhe me Kryetarin e Komisionit të Ligjeve, z. Ulsi Manja.
Ajo që ra në sy të paktën nga foto ishte edhe mënyra e pëshëndetjes së Ruçit, tipike shqiptare me dorë në zemër, e sidomos tani në kohë pandemie, kur vetë qeveria ka nxjerrë udhëzime për të mos u takuar me dhënie dore.
