SHKODËR- Një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar ka rënë në prangat e Shërbimit Diplomatik të Sigurisë (DSS) në bashkëpunim me njësinë speciale Policore “Joint Shield”, në qytetin e Shkodrës.
Burime të sigurta për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha, bëjnë me dije se i arrestuari është Arben Bregu. Më tej mësohet se Arben Bregu ishte i arratisur dhe kërkohej nga shteti i Floridas në SHBA, për akuzën e vrasjes së shkallës së parë mbetur në tentativë.
Ky person do përballet me një dënim të mundshëm kapital “dënim përjetë” dhe do të ekstradohet në SHBA.
DSS që është organi përgjegjës për Operacionet e kapjes së të arratisurve jashtë SHBA-ve, ka punuar prej disa muajsh me Njësinë “Joint Shield” për të lokalizuar këtë të arratisur. Me ndihmën e Drejtorisë së Policisë Shkodër i arratisuri u prangos dhe tashmë Interpol Tirana është duke kryer të gjitha veprimet ligjore për ekstradimin drejt Shteteve të Bashkuara./Top Channel
