Sinan Idrizi reagoi pas lajmit se Prokuroria e Stambollit ka kërkuar dënimin e tij me 10 vite heqje lirie, sepse akuzohet për mashtrim.
Sipas bashkëpronarit të “Air Albania”, burimi i lajmit nuk është i besueshëm. Idrizi tha për “Panorama Sport” se vetë ka hapur çështjen gjyqësore, ndërsa ftoi gazetarët që ta ndjekin.
“Ky është një lajm i shëmtuar. Kush është burimi i këtij lajmi?! E dini ju kush është media turke ‘Kars Manset’ që e paska publikuar këtë lajm?!Nuk e dini.
Është një media periferike. Unë ju ftoj juve si gazetë dhe të gjithë gazetarët e interesuar, hajdeni në Turqi ndiqni seancën gjyqësore, nëse ka.
Se nuk e dimë ka apo jo një gjyq për një çështje të tillë. Unë jam shprehur për këtë gjë.
Secili ka grupin e vetë dhe kaq. Mos u merrni me gjëra koti dhe me këto burime lajmesh që janë të pabesueshme.
Nëse jam unë i fajshëm për këtë çështje, atëherë dënohem unë. Nëse është ai tjetri, dënohet ai.
Nuk kam çfarë t’iu them më. Hajdeni në Turqi me mua dhe ndiqni gjyqin, gjithmonë nëse ka një gjyq të tillë.
Jam unë ai që kam hapur një çështje në gjykatë për këtë”, përfundon Idrizi.
Biznesmeni turk Adnan Polat dhe njëkohësisht ish-president i Galatasaray, paditi Sinan Idrizin, duke e akuzuar për mashtrim në vlerën 3.5 milion dollarë.
