Hetimet që nisi Policia menjëherë pas publikimit të emisionit Top Story, në të cilat u përfshinë agjentë të Antiterrorit dhe Shërbimit Informativ Shtetëror janë shoqërëruar me arrestimet e para. Në pranga ka rënë personi më i rëndësishëm që realizonte trafikun e arabëve e për të cilin emri i tij është përfshirë edhe në shkresa të qarqeve diplomatike.

Në pranga ka rënë Salim Yousuf, njëri prej trafikantëve më të rëndësishëm dhe që drejtonte rrjetin kriminal në bashkëpunim të plotë me drejtues të Policisë së Kufirit dhe familjarë të tyre.

Por kush është Salim Yousuf?

Palestinezi ka qenë prej kohësh në Shqipëri dhe kishte si aktivitet të tij trafikun e arabëve, duke përdorur vendin tonë si pikë tranziti për kalimin më tej të tyre në Evropë.

Edhe pse nën vëzhgimin e agjentëve të Shërbimit Informativ Shtetëror, ai nuk u arrestua asnjëherë më parë, deri kur Top Story zbuloi me prova shkresore dhe pamje filmike të gjithë aktivitetin e tij kriminal.

Në dëshminë e Salim Yousuf në Top Story, ai tregoi lidhjet me shefat e Policisë Kufitare, me të cilët bënte pazaret e trafikut të arabëve. Por, palestinezi ka qenë në “rreth të kuq” edhe nga qarqet diplomatike.  Emri i tij është përmendur edhe nga Ambasada Palestineze në Tiranë, në një memo sekrete, që publikoi ekskluzivisht Top Story.

Ka qenë pikërisht kjo memo, e cila vuri në lëvizje Shërbimin Informativ Shtetëror, që e vëzhgoi për disa kohë, por pa e arrestuar asnjëherë. Në memon e ambasadës së Palestinës thuhej se Salim shoqërohet me trafikantë të rëndësishëm dhe pazaret i bënte në një restorant në qendër të Tiranës, pas 15-katëshit.

Në dokumentin e Ambasadës së Palestinës thhet gjithashtu se Jousuf trafikonte luftëtarë të ISIS, fakt që u provua nga Top Story përmes dëshmive të shumë personave të tjerë të përfshirë në këto rrjete kriminale.

Jousuf tregoi në dëshminë e tij lidhjet me shefat e Policisë së Kufirit. Madje, ai nxori zbuluar edhe oficerin Altin Hasani, për të cilin tha se edhe ai bën trafik arabësh dhe e cilësoi atë si një “njeri biznesi” dhe shumë të mirë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re