Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro dëshmoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda lidhur me hetimet e dosjes së abuzimeve për segmentin Tiranë-Elbasan.
Pas gati një ore dëshmi para prokurores Elisabeta Ymeraj, në dalje Qendro u shpreh se u pyet në cilësinë e personit që ka pasur dijeni për çështjen.
Afrim Qendro ka qenë ish-zv/drejtor i Autoritetit Rrugor në kohën që drejtues ishte Dashamir Xhika i arrestuar për shpërdorim detyre në dy dosje, atë të Elbasan-Gjinar dhe Tiranë-Elbasan.
Më parë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dëshmuan dhe dy ish-ministrat e transporteve Edmond Haxhinasto dhe Sokol Dervishaj.
Njësoj si ish-ministrat, edhe Afrim Qendro u pyet lidhur me masat e ministrisë së transporteve pas raporteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, që konstatoi abuzimet me mënyrën se si ishte zbatuar projekti.
Për të njëjtën çështje në dhjetor të vitit 2017 ministri Damian Gjiknuri kallëzoi penalisht ish-zyrtarët e Autoritetit Rrugor pasi nga auditi i kryer nga ministria rezultuan 12 ndryshime kontratash pa u miratuar në Këshillin Teknik.
Hetimi për abuzimet me tenderin e autostradës Tiranë Elbasan kapin shifrën e 54 milionë dollarëve dëm ndaj buxhetit të shtetit.
