Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes për reformën zgjedhore.
“Sot kemi hedhur një hap përpara, për të mundësuar më shumë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. PD dhe Opozita e Bashkuar është e gatshme dhe po punon përditë për t’jua kthyer qeverisjen shqiptarëve.
Në emër të Opozitës së Bashkuar ju shpreh falenderimet tona aleatëve dhe partnerëve tanë euro-atlantikë për ndihmën dhe kontributin e tyre për gjetjen e dakortësisë për administrimin zgjedhor.”, shkruan kryedemokrati.
Këshilli politik arriti dakordësinë për administrimin e zgjedhjeve. Palët pranojnë përfshirjen 100% të identifikimit elektronik të votuesve në zgjedhje. Kjo shihet si mundësia më e mirë për të ndaluar votimin më shumë se një herë.
Palët zgjidhën edhe çështjen që mbajti pezull dakordësinë për 4 ditë, atë të përbërjes së komisioneve zgjedhore. PS u tërhoq nga depolitizimi i administratës zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme. PS e mori këtë vendim të papritur, pasi PD kërkoi që administrata publike të jetë e përjashtuar sipas një formule të propozuar nga BE. Mësohet se PD e pranoi në mëngjes këtë formulë për depolitizimin. Për zgjedhjet e ardhshme, komisionet do të mbeten siç janë aktualisht.
Pjesë e dakordësisë mes palëve për administrimin zgjedhor është edhe riformatimi i KQZ. Ky do të jetë një organ i ndarë në tre trupa të balancuara politike. Kryetari zgjidhet me konsensus, nënkryetari nga opozita. Puna e Këshillit Politik nuk ka mbaruar. Puna do të vijojë për çështjet e tjera në Këshill, që nuk kanë të bëjnë me administraten zgjedhore. Palët kanë rënë dakord që Parlamenti të mos e ndryshojë dot draftin pa pëlqimin e palëve në Këshillin Politik. Mësohet se rol kyç në dakordësinë mes palëve ka patur Komisioni Europian.
