Skip to content

E trajnuar nga FBI/ Kush është drejtuesja e Policisë Enkelejda Toska e arrestuar për trafik arabësh

Pak ditë pas publikimit të provave në emisionin Top Story të zyrtarëve të lartë të Policisë të përfshirë në trafik arabësh janë kryer edhe arrestimet e para.

Fillimisht prangat janë vendosur mbi krerët e policisë kufitare, ata që firmosnin lejet e qëndrimeve dhe që ishin zhytur thellë në këtë trafik.

Më pas pati edhe arrestime të vetë trafikantëve, siç ishte edhe palestinezi Salim Jousuf për të cilin dyshimet ishin të forta se përmes trafikut të arabëve kishte futur në territorin shqiptar edhe luftëtarë të ISIS.

Por, në krye të të arrestuarve është shefja e policisë kufitare të Tiranës Enkelejda Toska, një zyrtare e lartë policie, me gradën drejtues i parë (grada më e lartë në Policinë e Shtetit), një emër i lakuar edhe për të marrë postin më të lartë në hierarkinë policore; atë të drejtorit të përgjithshëm.

Pas largimit të Haki Çakos nga detyra e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Enkelejda Toska u lakua si një prej kandidateve potenciale për këtë post për vetë faktin se është një prej atyre oficereve të Policisë e trajnuar nga FBI në SHBA.

Enkelejda Toska ka qenë një prej 7 oficerëve shqiptarë të trajnuar në SHBA, çka do të thotë se ka pasur besimin e amerikanëve dhe është investuar jo pak prej tyre për të rritur kapacitetet njerëzore në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në Shqipëri.

Por, pas marrjes së detyrës së Drejtores së Kufirit dhe Migracionit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, Enkelejda Toska ka “dalë nga rreshti” dhe ngriti skemën e saj kriminale, duke përfshirë së pari bashkëshortin e më pas të motrën.

Dhe shifrat flasin më shumë se fjalët. Në harkun kohor të 12 muajve të vitit 2019, Enkelejda Toska ka firmosur plot 960 leje qëndrimi për shtetas arabë që janë kryesisht egjiptianë, palestinezë, marokenë, sirianë dhe libianë.  Pra, Enkelejda Toska ka firmosur më shumë leje qëndrimi se çdo vit tjetër për të huaj që mbërrijnë në Shqipëri.

Tashmë ndaj saj rëndon akuza e rëndë e shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumenteve zyrtare dhe implikimi në aktivitet kriminal. Bashkë me të janë edhe dy shefa sektorë të po kësaj drejtorie dhe vartës të Enkelejda Toskës.

Pritet që Gjykata të japë masën e sigurisë për Toskën dhe zyrtarët e tjerë të Policisë së Shtetit, ndërsa hetimet vijojnë edhe për persona të tjerë, 6 prej të cilëve janë shpallur në kërkim.