Pesë parti politike shqiptare në komunat në jug të Serbisë, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc – që njihet edhe si Lugina e Preshevës – kanë arritur një marrëveshje historike teksa janë marrë vesh që në zgjedhjet parlamentare të 21 qershorit, të garojnë me një listë të unifikuar zgjedhore, me synimin që të sigurojnë 3 deputetë në parlamentin serb.
Deri më tani në Serbi, si rezultat i përccarjes së partive shqiptare janë përfaqësuar vetëm me një deputet. Tashmë partitë politike shqiptare, Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshime, Lëvizja për Progresin Demokratik, Lëvizja për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare dhe Partia Demokratike, kanë arritur marrëveshje në fillim të këtij viti në Tiranë, me ndërmjetësimin e ministrit në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.
Për këtë bashkim të madh pati dhe një reagim nga ana e presidentit Ilir Meta, i cili e ka vlerësuar një akt të tillë.
“Përshëndes ngrohtësisht dorëzimin e listës së përbashkët të partive politike shqiptare të Luginës së Preshevës për zgjedhjet parlamentare të 21 qershorit. Shpreh bindjen se pjesëmarrja sa më masive e shqiptarëve në zgjedhje, bashkëpunimi i të gjitha subjekteve politike për rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve, si dhe bashkëpunimi i tyre i ngushtë me faktorin ndërkombëtar do të garantojnë forcimin e zërit të popullsisë shqiptare, në funksion të plotësimit të kërkesave dhe të drejtave të tyre legjitime në Serbi”, shprehet Meta me anë të një statusi në rrjetet sociale..
/shqip
