Presidenti i vendit Ilir Meta mëngjesin e sotëm ka përkujtuar 142-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të  Prizrenit, me anën e një postimi në faqen e tij zyrtare në facebook. Në postimin e tij presidenti apelon për vlerat e atdhedashurisë, lirisë dhe frymën patriotike që duhet të përçohet vazhdimisht në shoqëri dhe sidomos në brezin e ri në mënyrë që keto vlera mos të humbasin kurrë.

Postimi i Presidentit; Në historinë e kombit tonë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, shënon një nga ngjarjet më lapidare dhe frymëzuese për të gjitha kohërat, ku u shpalos dhe u lartësua identiteti kombëtar e europian i shqiptarëve, dhe u legjitimuan aspiratat për shtet-formim që i paraprinë shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Ndaj sot, në 142-vjetorin e krijimit të Lidhjes, ne kujtojmë me respekt e mirënjohje të jashtëzakonshme udhëheqësit vizionarë e legjendarë të saj, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Sulejman Vokshin dhe të gjithë burrat e mençur dhe atdhetarë, të cilët sakrifikuan gjithçka për të mbrojtur të ardhmen e Shqipërisë, Kosovës dhe të mbarë kombit tonë, nga rreziku shovinist dhe platformat e aneksimit të territoreve.

Vizioni, fryma patriotike, dhe ndjenjat më të larta të atdhedashurisë që na ka lënë trashëgim Lidhja Shqiptare e Prizrenit, mbeten një vepër e gjallë dhe frymëzim mbarëkombëtar, veçanërisht për rininë, sa herë kèrcënohen Sovraniteti, Liria dhe Pavarësia.

Lidhja e Prizrenit u mbajt më 10 qershor 1878 dhe i parapriu Kongresit të Berlinit në te cilin ajo paraqiti kërkesat në interes të kombit shqiptar. Megjithëse Kongresi i Berlinit nuk e njoh zyrtarisht ekzistencën e kombit shqiptar Lidhja e Prizrenit ishte guri parë i themelit të sovranitetit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare e cila kulmoi më vonë me shpalljen e pavarësisë më 28 nëntor 1912.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re