Çështja Ardian Dvoranit në krye të KED-së dhe si anëtar i Gjykatës së Lartë ka shkaktuar dhe dhimbje koke dhe për ndërkombëtarët, të cilët duket se kanë vendosur të mos bëhen palë e konfliktit mes presidentit Ilir Meta, Parlamentit dhe të institucioneve të drejtësisë.
Presidenti ka kërkuar që Këshilli i Lartë Gjyqësor të interpretojë statusin e Dvoranit, pasi atij i ka mbaruar prej kohësh mandati, si dhe tashmë që jemi në një situatë të re ku kjo gjykatë po plotësohet me anëtare, ai duhet të largohet. KLGJ e gjendur përballë kësaj situate vendosi që të marrë një mendim të specializuar nga misionet ndërkombëtare të BE-së dhe SHBA-ve, siç janë EURALIUS dhe OPDAT, të cilat kanë asistuar në reformën në drejtësi.
Por EURALIUS dhe OPDAT kanë refuzuar që të japin opinionin e tyre lidhur me konfliktin ligjor mes presidentit të Republikës Ilir Meta dhe kreut të KED, Ardian Dvorani.
Në përgjigjen kthyer Këshillit, këto organizma shprehen se kërkesa rrjedh nga nevoja për të adresuar një çështje individuale dhe se nuk japin opinione në të tilla situata.
“Duke u nisur nga shkresa dhe informacionet që na dërguat, kuptojmë që kërkesa juaj rrjedh nga nevoja për të adresuar një çështje individuale. Në këtë kontekst, Misioni Euralius V dhe Projekti i USAID-it Drejtësi për të Gjithë në Shqipëri janë të detyruar të theksojnë se, ndonëse ne jemi të përgatitur të ofrojmë asistencë teknike për Këshillin, jo vetëm si një çështje parimore por edhe praktikash të përcaktuara qartë, ne nuk japim opinione për çështje individuale, pasi kjo është një përgjegjësi ekskluzive e Këshillit”, thuhet në përgjigjen drejtues KLGJ-së.
Kërkesa për opinion iu drejtua nga Këshilli të Lartë Gjyqësor më 5 maj 2020, ndërsa me këtë refuzim topi për Dvoranin i mbetet qeverisë së gjyqësorit shqiptar.
/shqip
