Skip to content

Deputetët e pangopur/ Edhe në kohë pandemie kanë marrë dieta për karburant, ndonëse të izoluar (EMRAT)

Në kulmin e pandemisë të Covid 19, kur e gjithë Shqipëria ishte e izoluar  deputetët e kuvendit të Shqipërisë kanë marrë miliona lekë dieta. Ata janë paguar edhe për karburant, paçka se ata nuk ka qenë asnjë ditë në zonat e tyre elektorale.

Top Channel ka zbuluar listën e të gjithë deputetëve, të cilët krahas rrogës, në kohë pandemie kanë marrë nga Kuvendi i Shqipërisë për muajin Prill 2020, dieta dhe rimbursim për karburant.

Suzana Topi deputete e ardhur nga listat e LSI është e para në këtë listë, me shumën më të madhe të dietave të paguar nga kuvendi. Ajo ka marrë 1.5 milion lekë të vjetra dietë dhe 330 mijë lekë për karburant.

Megjithëse deputeti Selami Jenisheri është parë shpesh herë duke mbërritur në kryesinë e kuvendit dhe seancat plenare me biçikletë, ai nuk i ka thënë jo marrjes së rimbursimit të karburantit në shumën e 300 mjë lekëve.

Vetë deputeti thotë se “kur unë jetoj në Tiranë unë udhëtoj me biçikletë dhe nuk përdor makinë. Paguhem vetëm për rrugët, udhëtimet që bëj nga Shkodra në Tiranë dhe anasjelltas”.

Ai thotë se për çdo muaj plotëson një formular me lëvizjet nga Tirana në Shkodër dhe anasjelltas, teksa shton se nuk e ka thyer karantinën.

Nuk bëjnë përjashtim nga marrja e dietave në kohë pandemie edhe deputetët, të cilët vijnë nga bota e biznesit siç janë Sadri Abazi që ka marrë 300.000 lekë për karburant, Nimet Musai 790.000 lekë dhe Myslim Murrizi 45.000 lekë.

Marrja e dietave dhe rimbursimit të karburantit janë njëra anë e medaljes e grykësisë të deputetëve shqiptarë. Me paratë e kaspaguese në muajin prill Kuvendi i Shqipërisë ka hapur një tender për blerje maskash, dezinfektantesh për të mbrojtur nga Covide të zgjedhurit e kombit.

Ky dokument nga Agjencia e Prokurimeve Publike, tregon detajet e tenderit të Kuvendit të Shqipërisë ku kërkohet të blihen “material denzifektant xhel për duart 250 copë dhe 180 copë maska për në pjesën e hundës, gojës. Në fillim të pandemisë,  Kuvendi akordoi rreth 30 mijë euro për dezinfektim 3D të sallës plenare dhe për pastrimin e tualeteve./Top channel

/shqip