Skip to content

DOKUMENTI/ Zbardhet vendimi i Bashkisë Durrës mbi emérgjencën për mbétjet: Situata është krítike, institucionet qëndrore nuk na u përgjigjen

Fax News ka siguruar projekt-vendimin për miratimin e propozimit të shpalljes së emergjencës mjedisore në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve në territorin e Bashkisë Durrës për shkak të mbylljes së vend-depozitimit të Porto-Romanos.

Tre janë propozimet e Këshillit Bashkiak Durrës në të cilat përfshihen, miratimi i propozimit të emergjencës mjedisore në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve në territorin e Bashkisë Durrës, për shkak të mbylljes së vend-depozitimit të Porto Romanos;

Të kërkohet mbështetja financiare si dhe zëvendëskryetarit të Bashkisë që kryen funksionet e kryetarit të Bashkisë t’i jepet e drejta të bashkëpunojë me institucionet e qeverisjes qendrore, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencinë Kombëtare,Ujësjellës, Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve dhe Koncesionarin e Zonës së Trajtimit të Mbetjeve Tiranë, për gjetjen e një zgjidhjeje të menjëhershme dhe efikase për depozitimin e mbetjeve dhe zgjidhjen e situatës emergjente të Bashkisë Durrës në mbështetje të Vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit nr.01, datë 13.01.2020 “Për miratimin e Planit Kombëtar Sektorial për Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta”; dhe përcaktimi si përgjegjëse për zbatim të këtij vendimi Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve dhe Punëve Publike dhe Drejtoria e Përgjithshme e Menaxhimit Financiar.

Ndërkohë. Në relacionin sqarues të Këshillit Bashkiak arsyetohet se një vendim i tillë vjen pas situatës problematike të krijuar në vend-depozitimet aktuale si pasojë e mungesës së landfilleve për trajtimin e mbetjeve urbane kërkojmë shpalljen e emergjencës Mjedisore në fushën e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve.

“Bashkia Durrës në  vazhdimësi ka kërkuar mbështetje, Ministrisë Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, për zgjidhje të situatës emergjente në të cilën ndodhemi në lidhje me menaxhimin e mbetjeve urbane në territorin tonë”, shkruhet ndër të tjera në relacion.

Sipas Bashkisë, situata është krijuar nga mungesa e një modeli shpjegues unik të imponuar nga niveli qendror rreth mënyrës se si të organizohen shërbimet “rajonale” të menaxhimit të mbetjeve, e ka vështirësuar trajtimin e kësaj çështje në nivel vendor.

“Ndërtimi i një impianti brenda territorit tonë për trajtimin e mbetjeve që ne gjenerojmë, kërkon një kosto të lartë investimi, kapacitet financiar i të cilit është e pamundur të mbulohet nga ne, kjo edhe për shkak të situatës së rënduar financiare krijuar nga tërmetet e rëna të datës 21 shtator dhe 26 nëntor 2019 si dhe situatës së krijuar nga COVID-19”, vijon relacioni.

Më tej apelohet se aktualisht Bashkia Durrës ndodhet në një situatë pa zgjidhje, pasi realizimi i projektit “Mbyllja e vend-depozitimit ekzistues të mbetjeve të ngurta Eko-Park, Durrës” nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, në rolin e Autoritetit Kontraktor, në përmbushje të detyrimeve të kësaj kontrate, nuk lejon vazhdimin e depozitimit të mbetjeve të ngurta në vend-depozitimin e Porto-Romanos nga ana e Bashkisë Durrës.

“Aktualisht ndodhemi në një situate kritike, pasi nuk kemi asnjë vend depozitim ekzistues për të depozituar mbetjet urbane tona , të cilat janë mesatarisht 75 500 ton mbetje në vit)”.

“Bashkia Durrës e ndodhur në këtë situatë, ka tentuar të depozitojë përkohësisht mbetjet e evaduara në vend-depozitimet  ekzistuese, të Gryk Minier, Manzë dhe Vadardhë Sukth, por është hasur me protesta të mëdha nga ana e banorëve. Këto protesta janë shoqëruar me një rezistencë të ashpër nga ana e banorëve, madje dhe në orët e vona të natës, duke bërë një bllokadë përpara mjeteve dhe duke mos lejuar evadimin e mbetjeve. Gjithashtu edhe Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale me një shkresë zyrtare i është drejtuar institucioneve në nivel qarku, si dhe Policisë së Shtetit, për të bashkëpunuar ndërmjet strukturave për zgjidhjen e situatës së krijuar.

Bashkia Durrës tentoi të bënte një dëgjesë publike me banorët e këta njësive, por hasëm në rezistencën e tyre duke mos pranuar në mënyrë kategorike asnjë sqarim nga ana e institucionit. Gjithashtu për këtë arsye ata janë drejtuar me një peticion pranë Bashkisë, si një iniciativë qytetare për të kërkuar një zgjidhje përfundimtare dhe të menjëhershme për mos depozitimin në territorin e njësisë administrative ku banojnë.

Për sa më lart, kërkojmë propozimin e shpalljes së emergjencës mjedisore në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve urbane në territorin e Bashkisë Durrës. Ky propozim në zbatim të pikës 4/c të VKM-së nr. 967, datë 25.10.2013 “Për mënyrën e organizimit e të funksionimit të Komitetit të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve”, do t’i përcillet zyrtarisht Komitetit, pasi ky është autoriteti përgjegjës për  shpalljen e fillimit dhe përfundimin e emergjencës mjedisore në vend”, përfundon relacioni.

(F.GJ/FAXWEB.AL)

/faxweb