Skënderbeu mbetet e vetmja siguri e kampionatit edhe pas kësaj jave të Kategorisë Superiore. Një tjetër fitore dhe distanca me rivalët vazhdon të shtohet. Ndërsa lufta për objektivat e tjerë nga Europa tek mbijetesa mbeten një kapitull i hapur.

Skënderbeu 1-0 Partizani

Partizani tregon një tjetër fytyrë nga ai i ndeshjeve të fundit dhe këtë herë me Starovën në stol skuadra bën mirë aq sa në momente të caktuar dominon bardhekuqtë në shtëpi.

Por në fundin e  lohjës është një episod i pafat për Gojkoviç ,që me një top të kthyer mbrapa gjen të papërgatitur Hoxhën dhe një autogol që i vlen tre pikë korçarëve.

Kukësi 1-0 Laçi

Duket si një fotokopje e ndeshjes së Korçës me Kukësin që ndjen ‘’ngërçin’’ kur kthehet të luaj në shtëpi. Të dyja skuadrat kanë momentet e tyre porn ë fund është një gabim i portierit të kurbinasve Selmani që nuk kontrollon si duhet një top të futur në zonë nga Idrizi dhe Dzaria shënon dhe rikthen Kukësin tek fitorja në shtëpi.

Teuta 0-0 Flamurtari

Derbi bregdetar që luhej me objektiva krejt të kundërta mes dy skuadrave pasi të dyja kanë nevojë për pikë, vendasit për mbijetesën dhe miqtë për të ndjekur ritmin e kreut. Pavarsisht volumit të lojës duket se Flamurtari ka mundësitë më të mira të sfidës me brazilianin Danilo Alvesh. Por në fund mbyllet pa gola dhe të dy skuadrat duhet ti kërkojnë pikët në vazhdim për të realizuar objektivat.

Lushnja 2-3 Kamza

Ishte ndeshja e vetme që solli gola dhe spektakël ajo mes dy skuadrave të ardhur në këtë sezon në Superiore por që tani gjenden në pozita  të kundërta. Pjesa e parë mbyllet në barazim kur Canka i përgjigjet golit të Mehmetit. Ndërsa në të dytë është dyshja e sulmit të kamzalinjve Raçiç – Plaku që shënojnë nga një gol që u japin fitoren miqve, të cilët mnedojnë Europën. Canka mbyll ndeshjen me golin e tij që vlen vetëm për statistika.

Luftëtari 0-0 Vllaznia

U zhvillua ditën e dielë pas shtyrjes për shkak të incidentit të ndodhur me teknikun Gjoka në Shkodër. Secila prej skuadrave luajti nga një pjesë por në fund asnjëra nuk ia doli të shënoj. Luftëtari vazhdon të mbetet në ‘’vorbullën’’ europiane ndërsa Vllaznia ruan distancën me Teutën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re