Kryetari i Partisë Demokratike ka zgjedhur një grup maturantësh nga Vlora për të ndarë një kafe me ta, por edhe për të folur mbi problematikat e të rinjve, provimet e maturës, por edhe pengesat.
Por ende pa u ulur në bisedë, të rinjtë e kanë surprizuar me një tufë me lule, duke i uruar ditëlindjen kryedemokratit Basha. Mes shumë urimeve për të, Basha foli për faktin se shumë prej gjimnazistëve janë të paqartë për të ardhmen e tyre ndërsa vështirësitë ekonomike për të përballuar arsimin sa vijnë e shtohen.
“Qeveria Rama po e bën çdo ditë e më të pamundur për maturantët të vazhdojnë studimet e larta. Kjo situatë duhet dhe do të marrë fund. Me mua dhe PD asnjë nxënës nuk do të privohet nga e drejta për arsim për shkak të pamundësisë ekonomike.
Familjet e studentëve me të ardhura më pak se 640 mijë lekë të vjetra në muaj do të përfitojnë subvencion 100% të tarifës. Familjet me të ardhura mbi 640 mijë lekë të vjetra në muaj do të paguajnë gjysmën e tarifës. Për studentët në pamundësi, buxheti i shtetit do të mundësojë bursa dhe mbështetje financiare. Ne do ta dyfishojmë buxhetin dhe do të anulojmë Ligjin e Arsimit të Lartë, do të ofrojmë stazhe për 10 mijë studentë çdo vit.
Bashkë me të rinjtë e të rejat e këtij vendi do të ndërtojmë një qeverisje normale që ofron mundësi për arsim cilësor, punësim e nje jetë normale me mundësi dhe dinjitet për të gjithë” – deklaroi Basha.
