Skip to content

Mbi 2 milionë euro ishin fshehur në kamionin e fasonerisë (EMRI I SHOFERIT)

Mbi 2 milion euro të padeklaruara janë sekuestruar këtë të shtunë në portin e Durrësit.

Shuma e madhe u zbulua rreth orës 1:30 të natës gjatë një kontrolli rutinë të zhvilluar nga autoritetet doganore, në një kamion me targa TR 20 46 U, që vinte me tragetin e Barit. Mësohet se paratë ishin fshehur në pjesën e brendshme të mjetit të tonazhit të rëndë, ndërsa ishin të ndara në pesë qese të zeza plastmasi.

Pas konstatimit të shumës së madhe, autoritetet doganore njoftuan menjëherë policinë e cila ka shoqëruar drejtuesin e mjetit, një 54 vjeçar i identifikuar si Andon Thanasi, dhe po e merr në pyetje me qëllim zbulimin e destinacionit të parave.

Kamioni kishte udhëtuar drejt Barit para katër ditësh. Mësohet se mjeti i tonazhit të rëndë transportonte nga Italia drejt Shqipërisë materiale me lëndë të parë për fasoneritë e prodhimit të këpucëve. Gjatë ditëve të fundit drejtuesi i kamionit kishte kryer disa rrugë nga Durrësi drejt Barit dhe anasjelltas.

Ndërkohë çështja është marrë në dorë nga departamenti i krimeve të rënda, pasi dyshohet se shuma e madhe e eurove, numërimi i të cilave ende vijon, mund të ketë prejardhje nga aktiviteti kriminal.

Kjo është sasia e dytë më e madhe e parave te padeklaruara të kapura në portin e Durrësit, pas 5 mln eurove te gjetura ne automjetin “Toyota Yaris” në qershor të 2018-ës.