FSHF i bllokon transmetimin Digitalb/ Lùfta midis aksionerëve e drejtuesve të medias lë pa rroga punonjësit

Prej disa muajsh punonjësit e Digitalb nuk marrin rrogat dhe kjo për shkak se ka përplasje mes aksionerëve ndërkohë që para disa muajsh pati një marrëveshje me të cilën u vendos administrimi me dy aksionerë me të drejta të plota. Njëri nga përfaqësuesit e palës aksionere është Vjollca Hoxha dhe administratori tjetër Aleksandër Frangaj.

Mosmarrëveshjet midis palëve ka sjellë dhe bllokimin e pagesave të detyrimeve që ka Digitalb, gjë e cila  ka sjellë dhe revoltën e punonjësve si dhe njoftimin e Federatës Shqiptare të Futbollit ku kryetari saj është një nga aksionerët e palës së Aleksandër Frangajt

FSHF ka njoftuar se ndeshjet e Kategorisë Superiore nuk do të transmetohen në platformën e DIGITLAB për arsye që sipas saj kanë të bëjnë me neglizhencën kontraktore nga ana e këtij të fundit për zbatimin e kushteve të dakordësuara në kontratë dhe ezaurimit të të gjitha hapave të nevojshme ligjore.

Sipas FSHF-së, pavarësisht se u vendos një shtyrje e arsyeshme kohore e afatit të pagesës së detyrimeve financiare, nuk kishte një përgjigje zyrtare nga DIGITALB e për vijon njoftimi, rrjedhojë është e detyruar të pezullojë transmetimin për këtë platformë ndërsa paralajmëron  hapat e nevojshëm ligjor.

Sa i përket ndalimit të transmetimit, sipas FSHF-së, do të vijojë deri në përmbushjen e detyrimeve kontraktore duke nënvizuar se borxhi i akumuluar është i konsiderueshëm dhe se në kushtet kur këto janë të ardhura të drejtpërdrejta të klubeve anëtare, “të cilat privohen padrejtësisht prej tyre, aq më shumë në situatën e vështire ekonomike të shkaktuar nga përhapja e COVID-19”.

“Sakaq, krahas përpjekjeve për kapërcimin e kësaj situate, FSHF ka marrë përsipër kostot për transmetimin e ndeshjeve në faqen e saj zyrtare në internet www.fshf.org pa pagesë në mënyrë që futbolldashësit shqiptarë të mos humbasin mundësinë për të ndjekur skuadrat e tyre të zemrës.”, mbyll FSHF njoftimin e saj.

Ndërkohë, nëpër mediat online qarkullojnë lajme që tentojnë të paraqesin më konkretisht se si qëndron e vërteta e këtij ngërçi të krijuar mes DIGITALB dhe FSHF-së dhe në mes të saj sipas Gazetës ‘Tema’ futet historia rreth një vjeçare e ‘divorcit’ të Tv Klan nga DIGITALB ku si njëri nga Televizionet më të mëdhenj në vend doli nga platforma e kësaj të fundit qershorin e vitit të shkuar, për t’u transferuar në një platformë tjetër konkurruese.

Nga burime të kësaj gazete, mësohet se shumë punonjës të DIGITALB po përgatisin një peticion drejtuar Aleksandër Frangajt, për t’i kërkuar zhbllokimin e pagave, të cilat nuk paguhen prej gati 10 ditësh. Në peticionin që po nënshkruhet, i kërkohet Aleksander Frangajt të autorizojë sekretaren e tij, Eglën (Eglantina Lamaj-Administratore në DIGITALB), e cila nuk pranon të firmosë asnjë pagesë, deri në momentin që TV Klan është jashtë platformës DIGITALB.

“Kujtojmë këtu se TV Klan doli nga Digitalb qershorin e vitit të shkuar, për t’u transferuar në një platformë tjetër konkurruese. Nga kjo lëvizje sipas llogarive Aleksandër Frangaj, ai ka humbur mbi 250 mijë abonentë satelitore, pra, që e marrin sinjalin përmes satelitit dhe po ashtu më shumë se 80 % të shikuesve në Kosovë. Humbja monetare e kësaj mënyre amatore mendohet se i ka kushtuar Frangajt të paktën 2 milionë euro gjatë një viti.

Duke shtuar edhe rënien drastike të reklamave gjatë muajve të pandemisë së Covid-19, mendohet se TV Klan është në vështirësi të mëdha financiare, çka e shtyn pronarin e tij të kërkojë me çdo kusht rikthimin në DIGITALB, për të rikuperuar sadopak dëmet dhe shikuesit e humbur.

Kjo është arsyeja e vërtetë pas bllokimit te pagave dhe detyrimeve që DIGITALB i ka kompanive që i japin të drejtat sportive. Siç dihet kampionati spanjoll këtë javë nuk është transmetuar në DIGTALB për shkak të refuzimit të Eglës apo sekretares së Aleksandër Frangaj, të emëruar Administratore për të paguar të gjitha faturat.

Siç shprehet vetë Egla në korridoret e DIGITALB asaj nuk i intereson për pagat dhe nuk ka ndërmend të autorizojë asnjë pagesë derisa TV Klan të pranohet në platformë, duke i paguar të paktën 700 mijë euro ne vit.

Ndërkohë Aleksandër Frangaj ka vetëm 2.17 % të aksioneve dhe duke qenë aksioneri më pa peshë në kompani, ka marrë peng të gjithë kompaninë përmes sekretares se tij. Punonjësit e DIGITALB me humor e quajnë “Zotëria 2 për qind”  dhe duke u tallur shprehen se që kur ai u fut në kompani është hera e parë në 15 vjet që nuk marrin pagat në afat, megjithëse kjo është një praktikë e rëndomtë në TV Klan, kur pagat paguhen edhe një herë në disa muaj.

Siç u shprehet një nga punonjësit veteranë të DIGITALB, kjo është e pritshme nga një njeri si Aleksandër Frangaj, i cili thuhet se ka më shumë shtëpi sesa çorape. Sidoqoftë në ditët që vijnë pritet të mësohet çfarë do të bëhet me fatin e një prej kompanive më të mëdha në vend për nga influenca dhe xhiro financiare, pasi po ashtu mësohet se do të thirret një takim urgjent i asamblesë për zgjidhjen e ngërçit”, shkruan Gazeta Tema.

Ndërkohë Syri.net shkruan se Aleksandër Frangaj i pyetur prej tij, deklaroi se pagat i ka bllokuar Ben Blushi dhe Vjollca Hoxha.

“Eshtë një shpifjë e ulët dhe e zakonshme për Mero Bazen. E deklaroj me përgjegjësi morale e ligjore që bllokimi i pagave të punonjësve prej 13 ditësh është bërë nga bashkë-administratori i kompanisë, i propozuar nga aksionerja në minorancë, Vjollca Hoxha, e shtyrë nga interesi i Ben Blushit për të marrë lekë padrejtësisht për reklama në Top Channel, ku ky i fundit është drejtor.

Nga ana e aksionerëve të mazhorancës është kërkuar të bëhen pagat dhe gjithë pagesat e prapambetura për kompanitë që kanë dërguar ultimatum me ndërprerje shërbimesh. Administratorja e mazhorancës ka dhënë miratim me shkrim, emaile të dërguara financës dhe aksionerëve, që të bëhet pagesa e pagave të stafit të Digitalb në Tiranë dhe Kosovë, pagesa e kampionatit spanjoll, pagesa e kampionatit shqiptar, por bashkë-administratori i zonjës Hoxha ka urdhëruar të mos bëhet asnjë pagesë pa u bërë reklama e Top Channel. Dhe prandaj Digitalb nuk ka transmetuar ndeshjet e kampionatit spanjoll, se kompania ndërkombëtare që i ka këto të drejta, ia ka ndërprerë sinjalin për shkak të mospagesës.

Gjithashtu rrezikon që prej ditës së nesërme të mos transmetohen as ndeshjet e kampionatit shqiptar si rezultat i mospagesës së FSHF prej gati 2 vjetësh. Mospagesat vijnë si rezultat e bllokimit për reklamat e Top Channel dhe jo se kompania nuk ka para të paguajë. Kjo është e vërteta. Gjithçka tjetër shkruhet në portale të paguara është gënjeshtër dhe përpjekje për ta devijuar përgjegjësine publike nga Vjollca Hoxha e Ben Blushi tek Aleksandër Frangaj.

Por bllokuesit harrojnë se i gjithë stafi është përditë te zyra e financës dhe i sheh e-mailet se kush ka urdhëruar të mos bëhet asnjë pagesë ashtu sikurse klientët e Digitalb që kanë paguar për të parë ndeshjet e për ta nuk ka asnjë rëndësi se i merr Top Channel reklamat apo jo. Gjithçka thashë janë të dokumentuara me komunikim me shkrim dhe është absurditet të kthehet në betejë shpifjesh nëpër portale, por është urgjente që administratori të bëjë urgjent pagesat e rrogave të stafit dhe kampionateve spanjoll e shqiptar që të mos u mungojnë as sonte e nesër e në vazhdim, siç u mungoi mbrëmë dhe parmbrëmë”, thuhet në artikullin e kësaj mediaje.

Ndërkohë një tjetër media online, Newsbomb.al shkruan se “në ditët e para të vitit 2020, publikuam ekskluzivisht vendimin e Gjykatës së Tiranës që urdhëronte sekuestrimin e një pjese të shumicës së aksioneve të pronares Vjollca Hoxha dhe kalimin e tyre te bosët e vërtetë, të lëna me qira gjatë gjithë kësaj periudhe. Bëhet fjalë për Armand Dukën, Saimir Manen, Agim Zeqon, Aleksandër Frangajn dhe Edmond Lekën, të cilët me vendim gjykate kanë arritur të rimarrin aksionet, duke bërë që Vjollca Hoxha të bjerë me 42 për qind dhe të humbë kështu maxhorancën e vendimmarrjes.

Pronarja e rrjetit “Top Media” humbi betejën e saj për të mbajtur “nën kontroll” DIGITALB, pavarësisht tentativës për të bllokuar shitjen e aksioneve të kësaj shoqërie te ish-aksionerët e shoqërisë SuperSport.

Ndërkohë, prej ditësh punonjësit e DIGITALB kanë mbetur pa para për shkak të përplasjeve mes drejtuesve dhe aksionerëve të tjerë. Por kriza nuk ka prekur vetëm punonjësit. Edhe kompanitë e tjera të lidhura me DIGITALB kanë mbetur pa para sepse kjo e fundit nuk ka shlyer detyrimet kundrejt tyre”, vijon artikulli.

Në vijim e njëjta media shkruan se në këtë betejë del në skenë sërish dhe Aleksandër Frangaj, pronar i TV Klan që sipas saj është akuzuar se ka bllokuar pagesat e punonjësve të DIGITABL,”por me një reagim së fundmi pronari Frangaj i ka hedhur poshtë këto akuza. Ai ka akuzuar drejtpërdrejt Ben Blushin dhe Vjollca Hoxhën se kanë urdhëruar Drejtorinë e Financës që në llogaritë e punonjësve të mos kalojë “kokërr leku””.

Sipas medias në fjalë, Frangaj ka zbuluar dhe pse FSHF-ja i dërgoi ultimatum DIGITALB për të paguar detyrimet. Sipas tij, prej gati 2 vjetësh DIGITALB dhe SuperSport nuk kanë paguar asnjë detyrim kundrejt Federatës Shqiptare të Futbollit, raporton newsbomb.al.

E gjendur në këtë situatë, FSHF-ja ashtu si kompania ndërkombëtare që ka të drejtën e televizive për kampionatin spanjoll “kërcënon” DIGITALB e SuperSport të shlyejnë detyrimet kontraktuale të prapambetura ose në të kundërt do t’ju hiqet e drejta e transmetimit të ndeshjeve të kategorisë Superiore.

Tifozët e Superiores të cilët për shkak të Covid-19 mënyrë të vetme për të ndjekur ndeshjet kishin televizorin, tashmë duket se kanë mbetur “me sytë nga qielli”. Kjo krizë mes Vjollca Hoxhës dhe aksionerëve të DIGITALB ka futur në kolaps kampionatin e futbollit, i cili nuk mund të transmetohet, tifozët të cilët s’kanë ku të shohin ndeshjet për të cilat kanë paguar abonimet pranë DIGITALB e Supersport dhe kompanitë që kanë kontarata me të.

Një tjetër media që ka trajtuar këtë ccështje është RTKlive.com e cila shkruan se prej 12 ditësh, bashkë-administratori i Digitalb, i zgjedhur nga Vjollca Hoxha, refuzon të firmosë pagat e të gjithë punonjësve për shkak të mospagesës së një fature reklamash për Top-Channel, faturë e lëshuar në kundërshtim me vendimin e shumicës së aksionerëve të Digitalb.

Meqënëse nuk paguhet reklama e Top Channel, Vjollca ka urdhëruar të mos bëhet asnjë pagesë nga ana e administratorit të saj. Dhe viktimë e reklamës së Top-Channel nuk janë vetëm punonjësit e Digitalb por edhe pagesat e vonuara për kampionatin spanjoll, kampionatin shqiptar dhe prodhuesit e sinjalit të kampionatit të Kosovës.

Për shkak të bllokimit të pagesave nga administratori Redi Lamaj, për të gjithë këto subjekte, dhe pas ultimatumeve e paralajmërimeve të shumta për tu bërë pagesat disa prej të cilave kanë më shumë se një vit që nuk u bëhen, të enjten në mbrëmje abonentët e Digitalb nuk ndoqën dot ndeshjen e kampionatit spanjoll.

Kjo pasi këto subjekte kanë njoftuar që nuk ua ofrojnë më këto shërbime deri në likuidimin e faturave të prapambetura që shkojnë në disa milionë euro. Dhe Vjollca për një reklamë të Topit të saj ka urdhëruar të bllokohen të gjithë pagesat duke injoruar djersën e të gjithë punonjësve që nuk u jep pagat si dhe abonentët e Digitalb të cilët kanë paguar për të parë ndeshjet dhe s’kanë asnjë lidhje me reklamat e Top Channel.

Ndërkohe, mediat e blera nga Digitalb janë përpjekur të dizinformonjnë duke shkruar se këto ndeshje janë penguar nga aksionerë të tjerë të Digitalb, ndërkohë që i gjithë stafi dhe ofruesit e kampionateve janë njoftuar se pengesë për pagesat është Vjollca Hoxha se kërkon të marrë reklamë për Top-Channel me dhunë dhe në kundërshtim me vullnetin e shumicës së aksionerëve.

Administratorja e mazhorancës i ka firmosur dhe pagat dhe të gjitha pagesat e kampionateve, por pritet që Vjollca të tërhiqet nga dëshira e pafund për të mbajtur Top Channel me reklama nga lekët e Digitalb.

Gjithsesi, derisa Vjollca ta kuptojë që kampionati spanjoll, ai italian, anglez dhe shqiptar, është një mall që duhet paguar, pavarësisht nevojave të saj për reklama e për lekë nga Digitalb, abonentët e Digitalb do të mund të shohin vetëm Cufon dhe Bubin Kacurrel. Duhet theksuar se Digitalb ka pagesa aq të prapambetura sa akoma nuk ka paguar sezonin e kaluar të kampionatit shqiptar dhe sigurisht nuk ka bërë asnjë pagesë të këtij sezoni që po mbaron.

Dhe veç kampionatit spanjoll që nuk i dha sinjalin këtë javë, e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me ndeshjet e kampionatit shqiptar, përsa kohë Vjollca nuk paguan për shërbimin që ka marrë, shërbim të cilin ua ka shitur qytetarëve prej vjetësh. Por për Vjollcën nuk ka rëndësi se u ka marrë lekët qytetarëve dhe nuk u jep ndeshjet, për Vjollcën kanë rëndësi vetëm lekët për Top-Channel.

Por sa do presin qytetarët? Sigurisht kjo sjellje arrogance ndaj tyre ka një fund, rënien çdo ditë të abonentëve të kësaj kompanie. Dhe me këtë sjellje, shumë shpejt do të thuhet: Na ishte njëherë Digitalb. Shkruan RTKlive.com

Për t’u rikthyer tek Federata Shqiptare e Futbollit, Vip Sport ka treguar arsyet se pse sipas saj, Armand Duka ndërpreu transmetimin e kampionatit të rëndësishëm shqiptar me DIGITALB. Në artikullin e saj, media në fjalë shkruan:

A mund të kenë fund skandalet në Federatën Shqiptare të Futbollit?! Me sa duket, është e vështirë. “Topin e kam unë dhe penalltinë e gjuaj vetë”, është një slogan filmi, që me sa duket presidenti Duka e ka konsideruar si “proverb” dhe po e vë në zbatim. Ditën e sotme, Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë me dije se do i heqë kompanisë “Digitalb”, të drejtën e transmetimit të ndeshjeve të Kategorisë Superiore, pra javën e 29-të të këtij kompeticioni.

Një veprim, që në fakt, ngre shumë dyshime për funksionimin dhe shkeljet e bëra deri më tani. Sipas FSHF-së, “Digitalb” ka kohë që nuk respekton kushtet e pagesave të parashikuar në kontratë. Fakt, që po e marrim të mirëqenë, por më shumë se sa kjo mungesë korrektësie, ka shumë probleme që duhen ngritur me këtë rast.

Së pari, Armand Duka, presidenti i FSHF-së, është njëkohësisht edhe aksioner në kompaninë “Digitalb”. Pra, vetë presidenti i Federatës, nuk është duke i plotësuar kushtet kontraktuale ndaj organizatës sportive që udhëheq. Ky konflikt interesi është parë si shkelje edhe nga vendimi i Autoritet të Konkurrencës vetëm pak kohë më parë.

Si rrjedhojë, kemi të bëjmë me një strategji shumë më të rëndë, për sa kohë që në komunikimin për shtyp thuhet se “Federata do marrë përsipër kostot e transmetimit të ndeshjeve në faqen e saj zyrtare”. Pra, Duka ka vendosur që të mos paguajë para nga biznesi ku është vetë aksioner dhe transmetimin e ndeshjeve ta mbulojë me paratë e Federatës, ku fondet e saj janë praktikisht në pronësinë e të gjitha klubeve anëtare. Një taktikë “babëzitëse”, se si të kursesh para nga biznesi (i cili thuhet se dilte me humbje me transmetimin e Superiores) dhe faturën t’ia vendosësh vetë klubeve, menjëherë pas COVID 19.

Së dyti, në komunikatën e Federatës thuhet se kemi të bëjmë me borxhe të akumuluara. Atëherë, si është e mundur që FSHF vendosi t’i japë jo për një, por për plot 4 vite të drejtën e transmetimit një subjekti që ka pasur edhe në të shkuarën probleme me pagesat. SI është e mundur që është bërë ky vazhdim bashkëpunimi, pa u shlyer detyrimet vit pas viti?! Dhe si është e mundur që u zgjodh ndërprerja, pa u mbyllur kampionati, në një periudhë të vështirë financiare për të gjitha bizneset?! A kemi të bëjmë me një strategji, për të përfituar më shumë nga financat që nuk janë të vetë presidentit të FSHF?!
Së treti, a kemi të bëjmë me një konflikt mes ortakëve të “Digitalb” (edhe gjyqësore) dhe me pushtetin që klubet e futbollit i kanë dhënë Dukës, duke e zgjedhur President, ai po e shfrytëzon këtë pozicion për biznesin e tij ku është aksioner (Digitalb)?! Si është e mundur që u bë ky problem, në një moment, ku thuhet se brenda kompanisë që ka të drejtën e transmetimit ekzistojnë mosmarrëveshje dhe ka ndikuar edhe në aspektin financiar të saj?!

Heqja e transmetimit pa u mbyllur sezoni dhe faturimi i kësaj të drejte, nga vetë arkat e klubeve të futbollit, kemi të bëjmë me ngjarje të paprecedentë, ku pritet që të ketë patjetër zhvillime civile apo gjyqësore, pasi sërish po shpërdorohen paratë e destinuara për zhvillimin e futbollit, për të ndihmuar arkën e bizneseve personale të kreut të Federatës…

/faxweb