Ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” u fol në lidhje me rastet e reja të personave të infektuar me Covid-19 në Shqipëri dhe në Kinë.
Për të folur për situatën që po krijohet sërish nga koronavirusi në Kinë, aty ku u shfaq edhe rasti i parë, ishte në lidhje direkte një shqiptar që jeton atje. I riu u shpreh se nuk ka shumë raste, 36 janë aktualisht, por Kina po mendon seriozisht për izolimin e Pekinit.
Ai theksoi se edhe pse në Kina rezultojnë numër më i pakët i të prekurve nga Covid-19, Kina po e merr seriozisht situatën e krijuar, duke pasur frikë nga një valë e dytë.
Ndërsa për të folur rreth shifrat rekord që janë shënuar sot në Shqipëri,plot 82 raste të reja, ishte i ftuar në një lidhje direkte me “Shqipëria Live”, mjeku Edmond Stojku, tashmë deputet i opozitës në Parlament.
Ai përsëriti edhe njëherë fjalët e thënë që në fillim të pandemisë: “Frikë po, kujdes po, panik jo”. Ndërsa shtoi se situata është po e njëjta.
“Kjo rritje është një farë alarmi. Popullata shqiptare është e afrueshme në sjellje, me puthje e përqafime. E ne kemi hyrë sërish në rrjedhjen e jetës si para pandemisë. Pandemia ka ciklin e saj, dhe pa bërë ciklin e saj ajo nuk largohet”, tha ai.
I pyetur në lidhje nëse temperaturat e larta dhe vera do të ndikojnë te Covid-19, ai u shpreh se: “Studimet e fundit dhe rastet në vendet e Lindjes së Mesme, provuan të kundërtën. Pra duhet vetëm të kemi kujdes. Përdorimi i maskave duhet të jetë e domosdoshme. E rëndësishme është edhe fasha moshore, moshat e treta janë më të rrezikuara. Por njerëzit harrojnë shumë shpejt”, tha mjeku i njohur.
/shqip
