Shqipëria sipas shifrave më të fundit, ashtu si edhe një pjesë e Europës, pritet të përballet me një valë të dytë të përhapjes së koronavirusit.
Vala e parë e të infektuarve alarmoi menjëherë qeverinë, e cila për shkak të mungesës së kapaciteteve të aparaturave mjekësore, hapi thesin për ministrinë e Shëndetësisë duke ia plotësuar çdo nevojë. Për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë, duke shfrytëzuar situatën e pandemisë, nisi breshërinë e tenderave për blerje medikamentesh, aparaturash, etj.
Një nga këto prokurimet e shumta, që cilësohen edhe si sekret, të shpallura me urgjencë nga Manastirliu, është edhe ai për blerjen e aparaturave respiratorëve.
Sipas shkresës të siguruar nga Gazeta SHQIP, ministria e Shëndetësisë shpalli më 17 mars tenderin për “Blerjen, furnizimin dhe vendosjen” në mënyrë urgjente të respiratorëve”.
Fondi ishte 130 milionë lekë të reja dhe mënyra e prokurimit ishte e drejtpërdrejtë. Nën mburojën e emergjencës ekstreme, Manastirliu e shpalli brenda 48 orësh kompaninë fituese. Afati i vënë në dispozicion për kompaninë fituese për të sjellë respiratorët dhe instaluar këto aparatura jetike ishte data 3 prill.
Deri këtu në rregull për procedurën e prokurimit pa garë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Por pa dashur që të paragjykojmë, gjendemi përballë një situate absurde, sepse pas tre muajsh kompania fituese e këtij tenderi ka sjellë vetëm 5 respiratorë, duke mos iu përmbajtur kontratës së fituar.
Sasia e respiratorëve që do te sillte kompania fituese do të ishte 54 copë, e kjo sipas kontratës së lidhur me Ministrinë e Shëndetësisë.
Kompania fituese deklaroi me bujë se produktet do të ishin mjaft cilësore, duke u importuar nga Gjermania, nëpërmjet kompanisë gjermane “Axcent Medical GmbH”.
Në këtë situatë pyetjet që adresohen në adresë të ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu janë të shumta, por po parashtrojmë vetëm disa me shpresën se ajo do të na kthejë përgjigje: “Ku janë 49 respiratorë që duhet të ishin të instaluar prej 3 muajsh në spital? A e keni penalizuar ju kompaninë e cila shkeli kushtet e kontratës, për më tepër në situatën emergjente që po kalon vendi? A e keni prishur ju kontratën me firmën që nuk realizoi lëvrimin e respiratorëve, sipas kushteve të kontratës?”.
Çfarë bëtë ju zonja ministre për të zëvendësuar 49 respiratorët që nuk u sollën asnjëherë nga kompania fituese, qoftë edhe duke zhvilluar një garë tjetër, po aq urgjente sa e para që dështoi?
Ndërsa pyetja e fundit, por jo nga rëndësia, është se çfarë u bë me fondin që nuk u arrit të përdoret për 49 respiratorët që nuk u sollën në Shqipëri?
Pra, a u përdor sërish ai, për të njëjtin “objekt prokurimi” apo u dogj si fond?
/shqip
