Aktori i madh, Mirush Kabashi, ka reaguar gjatë një tryeze të organizuar nga shoqëria civile, në lidhje me zhvillimet e fundit politike, atë për Reformëm Zgjedhore, ku sipas tij, “deri tani është diskutuar se si t’i vjedhim votat ose si t’i ruajmë nga armiku po ti vjedhim ne, domëthënë brenda familjes së politikës”.
“Reforma elektorale, ne deri tani kemi diskutuar se si t’i vjedhim votat ose si ti ruajmë nga armiku po ti vjedhim ne, domëthënë brenda familjes së politikës. Po kush e ka bërë, kush e ka futur këtë element në sistemin politikë, kush e futi? Vetë partitë politike. Dhe e kanë perfeksionuar deri në këtë formë sa sot nuk po arrijmë dot t’ia gjejnë zgjidhjen”, është shprehur Kabashi.
Aktori ishte në tryezën e shoqërisë civile, që prej kohësh kërkon ndryshim të sistemit dhe hapjen e listave. Përtej kësaj kërkese, aktori shprehu pikëpamjet e tij për shoqërinë e demorkacinë.
“Shoqëria shqiptare është si një anije e cila nuk ka busull dhe nuk ka një destinacion. Mos thotë njeri që kemi demokraci, ku ështe e shprehur?” ka thënë ndër të tjera aktori.
Nga kjo Kabashit i rezulton një formë e re diktature në vend.
“Të njëjtat ministra apo nipat, mbesat, me të njëjtat vetura, me të njëjtët shoferë, do të drejtojnë të njëjtat ministri. Po si kështu, fitimtarët fitimtarë, e të mundurit të mundur në përjetësi? Ah jo! Në qoftë kështu mos ardhsh kurrë oj demokraci! Dhe më duket se drejt këtyre vargjeve, si profet më duket Bardhyl Londo, drejt këtyre ne po shkojmë nëse do të vazhdohet kështu. Do të formojmë edhe diktatorë të rinj”, është shprehur më tej ai.
Konkluzionin final e përcolli përmes vargjesh të një ish-të përndjekuri politik.
“Po me plagë dje,
Me plagë sot
Dhe nesër po përsëri me plagë
O vendi im, o Shqipëria ime
Cmë bëri kështu, sa zemra në gji po më plas
Se kërkoj njerin dhe njerëzit
Që me shpirt të flas
Flas me dru…flas me dru…”.