Skip to content

Dështon shembja me shpërthim, pallatin në Tiranë e rrëzojnë me fadromë

Ka dështuar shembja e një godine gjashtë katëshe në zonën e Shkozës për të cilën Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, vendosi ta shemb më shpërthim të kontrolluar për t’i hapur rrugë vazhdimit të projektit të unazës së re për lotin e tretë.

Por shpërthimi rezultoi i pasuksesshëm për shkak të peshës së lehtë të objektit , por edhe sasisë së vogël të lëndës plasëse të vendosur, për shkak të banesave përreth, siç njoftoi zyrtarisht IKMT. Më pas objekti u shemb me disa goditje të një fadrome, shkruan Top Channel.

Ky është objekti i 12-të që shembet për lotin e tretë duke përmbyllur kështu fazën e parë, ndërkaq pritet të ketë edhe një tjetër fazë për shembjen e objekteve të tjera të ndërtuara në gjurmën ku do të kalojë unaza e re në zonën lindore të Tiranës.

Puna aktualisht po vijon për lotin e parë dhe të dytë, në zonën e Astirit, aty ku që prej nëntorit të vitit të kaluar, janë shembur rreth 45 objekte dhe shtëpi banimi të cilat pengonin vijimësinë e projektit.