Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka folur për përforcimin e kapaciteteve të terapisë intensive pasi ka pasur një shpërthim të rasteve me Covid ditët e fundit. Në fjalën e saj në Kuvend, u shpreh se po kujdesen për të pajisur stafet mjekësore me mjete të mbrojtjes personale.
“Deri tani e kemi përballuar mirë situatën e krijuar nga COVID-19. Kemi rritur kapacitetet e shtretërve, të testimit, kemi furnizuar me materiale mbrojtëse personelin shëndetësor që ata të jenë të mbrojtur, kemi siguruar terapitë e mjekimit dhe pajisjet mjekësore për spitalet kanë trajtuar dhe trajtojnë rastet me Covid-19”, tha Manastirliu.
Manastirliu ka bërë sërish thirrje për zbatimin e rregullave të distancimit social dhe masave të higjenës si edhe subjekteve për zbatim të protokollit të sigurisë.
“E rëndësishme për t’u theksuar është ndërgjegjësim, ndërgjegjësim, ndërgjegjësim për të gjithë qytetarët që sjellja individuale në raport me këtë virus është esenciale. Ndaj jo vetëm për faktin që shëndetësia është në gatishmëri, mjekët, infermierët, personeli shëndetësor janë duke sakrifikuar dhe duke u përballuar me flukse të shtuara, por të mendojmë më shumë për veten të afërmit, dhe se sjelljet individuale në këtë normalitet të ri të mundet t’i kthejmë në zakone të jetës tonë të përditshme. Të mos lejojmë që ky virus të bëjë që sistemi shëndetësor të vuajë”, tha Manastirliu.
Teksa ka prezantuar edhe dy ndryshimet në aktin normative, Manastirliu tha se këto ndryshime në aktin normativ do të sjellin vendosjen e protokolleve të rrepta për mbrojtjen nga COVID19.
Manastirliu u shpreh se një prej nismave është vendosja e distancës së sigurisë në studio televizie dhe së dyti nëpërmjet këtij akti normativ do të ndihmohen qytetarët që kanë humbur në periudhë kohore të përcaktuar punën e tyre ose kur punëdhësit e tyre nuk kanë aplikuar për ndihmën financiare direkte.
/faxweb
