Odiseja e segmentit të famshëm Kardhiq-Delvinë, e cila do të eliminonte Muzinën në rrugën turistike të Sarandës dhe lehtësonte jo vetëm turistët vendas por edhe më gjerë, është kthyer tashmë si Legjenda Rozafës.
E gjithë historia nis në 20 maj të 2019, ku Autoriteti Rrugor Shqiptar shpalli tenderin për këtë aks rrugor. Gjoka Konstruksion, së bashku me bashkimin e 5 operatorëve (Gjoka&Cobial), fitoi tenderin pasi rezultoi se kishte paraqitur ofertën më të ulët.
Por pas tre ditësh, më 20 qershor të vitit 2019, Qato e ARRSH-së merr vendimin e çuditshëm dhe skualifikon të gjithë operatorët, përfshirë edhe bashkimin e operatorëve Gjoka&Cobial. Ajo shpall fitues kompaninë me çmimin më të lartë në diferencë mbi 4 milionë euro, kompaninë “Sulova Ndërtim” (Vëllezërit Hysa), e akuzuar për vjedhje në të kaluarën.
Gjoka&Cobial, ndaj këtij vendimi, paraqet zyrtarisht ankesë në Komisionin e Prokurimeve Publike dhe ky institucion u jep të drejtë atyre. KPP urdhëron ARRSH-në që t’i kualifikojë. Në limitet e afatit, ARRSH rikualifikon Gjoka&Cobial dhe i shpall fitues.
Por sërish ndërhyn “strumbullari” Qato, e cila një ditë më pas zhbën vendimin, duke skualifikuar sërish Gjoka&Cobial. Në argumentin e ARRSH-së firma nuk përmbushte parametrat, e kjo u vendos duke u bazuar në ankesën e paraqitur nga firma rivale, operatori “Sulova Ndërtim” (Vëllezërit Hysa).
Menjëherë pas këtij vendimi, kompania Gjoka Konstruksion bën kallëzim penal pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ndaj ish-drejtoreshës Sonila Qato, regjistrohet procedimi dhe nis hetimi që aktualisht është pjesë e dosjeve të SPAK. Gjithashtu operatori Gjoka&Cobial bën ankesën e radhës në KPP (më datë 23/9/19) për skualifikim të padrejtë dhe më datë 27 shtator, KPP pezullon procedurën për të bërë shqyrtimin e ankesës në themel. Deri më sot nuk ka marrë asnjë vendim, gjë që është jashtë çdo afati ligjor!
Prej shtatorit 2020 e deri më sot, kryetarja e Komisionit të Prokurimit Publik, Evis Shurdha e mban peng në sirtar këtë dosje, pa dalë me një vendim përfundimtar, një rast i paprecedentë për këtë institucion. Sipas ligjit të prokurimit publik, neni 20, Komisioni i Prokurimit Publik, për shkaqe të ligjshme mund të vonojë vendimin, maksimumi deri në 30 ditë.
Por kanë kaluar mbi 9 muaj dhe Kryetarja Evis Shurdhi dhe katër anëtarët e tjerë, ende nuk kanë dalë me vendim, duke shkelur ligjin si dhe mohuar të drejtën qytetarëve për të patur një rrugë të premtuar prej vitesh.
Edhe në rastet kur dosja shqyrtohet në themel, sërish afati është maksimal për të dalë me një vendim është 30 ditë, sipas Nenit 28 të Ligjit të Prokurimit Publik. Duket sikur anëtarët e Komisionit të Prokurimit Publik janë peng i lobingjeve politike në Partinë Socialiste, kryesisht të Taulant Ballës dhe Belinda Balluku. Siç ka raportuar Gazeta SHQIP, këta dy të fundit po mbështesin thuajse hapur kompaninë “Vëllezërit Hysa”, që të fitojë tenderin për Kardhiq-Delvinë.
/shqip