Skip to content

Akti i rrallë/ Parlamenti Europian pro 15 kushteve ndaj Shqipërisë, para nisjes së negociatave

Me 388 vota pro, 280 vota kundër dhe 19 abstenime Parlamenti Europian miratoi mbrëmjen e 18 qershorit amendamentin e Grupit të Partive Popullore Europiane me 15 kushtet për qeverinë Rama para nisjes së negociatave.

Amendamenti ka këtë tekst: “Parlamenti Europian thekson 15 kushtet e caktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian që Shqipëria duhet të ketë përmbushur përpara thirrjes Konferencës Ndërqeveritare të parë me shtetet anëtare”

Këto kushte u vendosën  nga Këshilli Europian, me propozimin e Gjermanisë, Francës, Holandës, Danimarkës e Spanjës në mars të këtij viti. Amendamenti i firmosur nga eurodeputetja Kinga Gàl me kërkesën e raporterit Lega dhe me mbështetjen e koordinatorit Gahler erdhi si përgjigje e mohimit të përsëritur nga kryeministri Rama javën e shkuar të ekzistencës së 15 kushteve.

Amendamenti u votua nga Grupi Liberal dhe ai Konservator si dhe shumë deputetë nga e majta dhe djathta pavarësisht qendrimit formal të grupeve.  Gjatë javës së shkuar shumë eurodeputetë, por edhe diplomatë europianë reaguan ndaj deklaratave të Ramës duke apeluar publikisht për domosdoshmërinë e përmbushjes së 15 kushteve sepse ndryshe nuk fillojnë negociatat.

Shqipëria duhet të përballet dhe me 15 kushte të tjera, t’i plotësojë ato dhe më pas të marrë pjesë në Konferencën e parë Ndërqeveritare me shtetet anëtare.

Ky është një akt i rrallë dhe i fortë politik për këtë institucion, që përgjithësisht i kundërvihet shteteve anëtare të Bashkimit Europian.

Po në këtë rezolutë theksohet, se dështimi i Këshillit Evropian për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në qershor të vitit 2018, qershor të 2019 dhe tetor të 2019 ka patur një efekt të dëmshëm për zgjerimin.

Shkresa e Grupit PPE:

[ Dua t’ju informoj se znj. Kinga Gál si raportere hije e PPE e raportit “Rekomandime për Ballkanin Perëndimor” do të dorëzojë amendamentin si më poshtë: ]

“Thekson 15 kushtet e caktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian që Shqipëria duhet të ketë përmbushur përpara thirrjes Konferencës Ndërqeveritare të parë me shtetet anëtare”

[ Amendamenti u kërkua nga z. David Lega, raporter i përhershëm për Shqipërinë dhe ka pëlqimin e z. Gahler, koordinator i PPE në Komisionin e Jashtëm (AFET) ]

/shqip