Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, është takuar sot me përfaqësue të Parlamentit të Nxënësve ku ka biseduar me ta rreth provimeve të maturës.
Në një status në Facebook, Shahini shprehet se pyetjet “e sikletshme” me “Turin” dhe “dlirnja” e Poradecit, nuk ka qenë dhe aq e vështirë sa e bëjnë disa nxënës.
Sipas saj, këtyre pyetjeve i janë përgjigjur saktë mbi 10 mijë maturantë.
“Sapo mbyllëm takimin me përfaqësuesit e Parlamentit të Nxënësve mbi temën e nxehtë të provimit të Gjuhës shqipe dhe letërsisë. Ata më përcollën në detaje gjithë shqetësimet e maturantëve për provimin e maturës, por gjithashtu më shprehen keqardhjen e tyre për ato pjesë të degraduara të protestës para ministrisë, që nuk përfaqësonin nxënësit tanë.
Përfaqësuesit i informova për rezultatet paraprake të pyetjeve tashmë të shumë-përfolura si ajo me “Turin” apo mbi kuptimin e fjalës “dlirnja” të Poradecit, që tregonin se mbi 10 mijë maturantë kishin gjetur përgjigjen e saktë tek secila. Kjo do të thotë qartë se këto pyetje nuk kanë qenë me probleme, pasi siç na informon edhe QSHA, të tilla konsiderohen pyetjet me nën 10% përgjigje të sakta,” shkruan ministrja.
Ajo gjithashtu thotë në statusin e saj se u ka premtuar nxënësve se do të bëhet rishpërndarja e pikëve nëse rezulton se testi ka patur vështirësi më të mëdha se njohuritë e nxënësve.
Njëkohësisht, i sigurova edhe një herë përfaqësuesit e Parlamentit të Nxënësve që me analizën përfundimtare të rezultateve, QSHA do të bëjë rishpërndarjen e pikëve nëse rezulton se testi ka patur vështirësi më të madhe se sa njohuritë e nxënësve.
Gjithsesi, pjesa më e vlefshme e bisedës tonë ishte kërkesa nga Parlamenti i Nxënësve që mësuesit të përqendrohen akoma më shumë në aftësimin e tyre për njohuri aplikative. Në këtë kuadër, unë u premtova se edhe QSHA do të punojë më fort në përgatitjen e nxënësve për provimet e maturës së vitit të ardhshëm duke botuar më shumë burime përgatitore.
/shqip
